Gjenerali amerikan: SHBA dhe Irani të ulin tensionet
Një ish-komandant i lartë i CENTCOM kërkoi një ulje të tensioneve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për Al-Jazeera TV, admirali në pension William J. Fallon, ish-komandant i CentCom, tha që çdo veprim i keqllogaritur nga Irani ose Shtetet e Bashkuara mund të përkeqësojë situatën. Ai më pas i kërkoi Teheranit dhe Uashingtonit që sa më shpejt të jetë e mundur të gjejnë një zgjidhje, dhe të veprojnë me shumë kujdes. "Kjo situatë delikate në rajon ka të ngjarë të çojë në rezultate jo të favorshme. Ne menjëherë duhet të gjejmë një zgjidhje për të lehtësuar tensionin në rritje. Shtetet e Bashkuara po bëjnë presion ndaj Iranit për të rinegociuar marrëveshjen bërthamore dhe për afrimin e Teheranit me politikat e Uashingtonit. Asnjëra palë nuk po kërkon luftë", tha Fallon. William Fallon shprehu shqetësimin për nismën e Donald Trump për krijimin e një koalicioni ushtarak detar në Gjirin Persik. Ai kujtoi se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite ishin të zhytura në konfliktin në Jemen, duke e bërë situatën në rajon më të komplikuar.