Zarif paralajmëron: Ose siguri për të gjithë, ose pasiguri për të gjithë
Diplomati më i lartë iranian tha se "siguria është një komoditet i zakonshëm global", që ose ekziston për të gjithë, ose për askënd.
Duke folur në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI) gjatë një vizite në Suedi, Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Xhavad Zarif i bëri deklaratat të mërkurën duke folur mbi praninë ushtarake amerikane në Gjirin Persik. Zarif vuri në dukje se SHBA, nën sundimin e Trump, është bërë e paparashikueshme dhe nuk përputhet me ligjin ndërkombëtar. Ai tha se Irani sillet në një mënyrë të përgjegjshme e të parashikueshme dhe në përgjigje pret sjellje të përgjegjshme e të parashikueshme. "Paparashikueshmëria e ndërsjellë do të çojë në kaos. Sepse Presidenti Trump nuk mund të jetë i paparashikueshëm dhe të presë që njerëzit e tjerë të jenë të parashikueshëm. Paparashikueshmëria do të çojë në paparashikueshmëri të ndërsjellë dhe kjo është kaotike, "tha Zarif. Diplomati më i lartë iranian tha se Bashkimi Evropian "dështoi" në përmbushjen e angazhimeve të tij në kuadër të marrëveshjes bërthamore dhe se duhej të ndërmarrë veprime konkrete nëse evropianët donin të shpëtonin marrëveshjen. "Nëse pala tjetër shkel marrëveshjen, ne kemi një të drejtë legjitime për të reduktuar angazhimet tona për marrëveshjen," argumentoi ai duke shtuar :"Kjo është e shkruar në marrëveshje."