Lideri Suprem: Irani do të vazhdojë reduktimin e angazhimeve bërthamore
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i91356-lideri_suprem_irani_do_të_vazhdojë_reduktimin_e_angazhimeve_bërthamore
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, Ajetollah Khamenei deklaroi se në përgjigje të daljes së SHBA-së nga marrëveshja bërthamore, Irani është i vendosur të reduktojë më shumë angazhimet e tij në bazë të marrëveshjes bërthamore derisa Republika Islamike të arrijë rezultatet e dëshiruara.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 02, 2019 18:16 Europe/Tirane
  • Lideri Suprem: Irani do të vazhdojë reduktimin e angazhimeve bërthamore

Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, Ajetollah Khamenei deklaroi se në përgjigje të daljes së SHBA-së nga marrëveshja bërthamore, Irani është i vendosur të reduktojë më shumë angazhimet e tij në bazë të marrëveshjes bërthamore derisa Republika Islamike të arrijë rezultatet e dëshiruara.

Në një takim të mërkurën me komandantët e lartë të Korpusit të Rojeve të Revolucionit Islamik të Iranit, Ajetollah Khamenei tha se Organizata e Energjisë Atomike e Iranit është përgjegjëse për kundërmasat dhe duhet të përmbushë detyrën e saj "plotësisht dhe saktësisht," në mënyrën e kërkuar nga qeveria. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik më tej tha se SHBA deri më tani ka dështuar dhe "përfundimisht" do të vazhdojë të dështojë në fushatën e "presionit maksimal" që ndërmori kundër kombit iranian pas braktisjes së marrëveshjes bërthamore. Ajetollah Khamenei tha se Amerikanët, në fakt, u futën vetë në telashe duke ndjekur një politikë të tillë. Duke dështuar në përpjekjet për të detyruar Iranin të dorëzohej, amerikanët u përpoqën të organizonin një takim me Presidentin iranian Hasan Ruhani, i cili u duhej për ta paraqitur si "një simbol i nënshtrimit iranian" ndaj presionit, shtoi Lideri Suprem. Ajetollah Khamenei tha se amerikanët madje shkuan aq larg sa "lypën dhe kërkuan ndërmjetësimin e miqve të tyre evropianë", por ata nuk arritën të organizojnë një takim të tillë dhe do të vazhdojnë të dështojnë. Ai i përshkroi sanksionet amerikane mbi eksportet e naftës së Iranit si një "problem afatshkurtër" me të cilin po përballet vendi, por që mund të gjenerojë "përfitime afatgjata" - duke shkurtuar mbështetjen e vendit në të ardhurat e naftës - nëse merren hapa të duhur për të trajtuar këtë çështje. Ajetollah Khamenei tha se armiqtë, veçanërisht Amerika, nuk kanë arritur të realizojnë komplotin e tyre në vendet e rajonit, pavarësisht se kanë shpenzuar shuma të mëdha parash në Lindjen e Mesme. "Ata krijuan ISIS-in me shpenzime të mëdha dhe e siguruan atë me armë, si dhe mbështetje financiare dhe mediatike, dhe tani që ISIS është shkatërruar falë sakrificave të të rinjve në Siri, Irak dhe Iran, ata thonë gënjeshtra duke pretenduar se ata e shkatërruan ISIS-in, " tha Khamenei duke shtuar: "Vetë Presidenti Donald Trump pranoi që SHBA ka shpenzuar 7 trilion dollarë në rajon, dhe si kthim nuk ka marrë asgjë tjetër përveç dëmeve dhe humbjeve".