Garda Revolucionare paralajmëron fqinjët e Iranit kundër 'veprimeve të keqdashëse'
Disa fqinjë të Iranit u përfshinë në veprime keqdashëse gjatë trazirave të fundit që pasuan një rritje të çmimit të benzinës, tha një komandant i lartë i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), duke i paralajmëruar ato vende kundër sjelljes së tyre destruktive ndaj Republikës Islamike.
Duke folur të dielën në Teheran, zv/komandanti i përgjithshëm i Gardës së Revolucionit Islamik, Gjeneral Brigade Ali Fadavi, tha: "Gjatë trazirave të fundit, disa nga fqinjët tanë vepruan kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe principeve të Islamit dhe kryen akte keqdashëse." "Ne i këshillojmë fqinjët të pendohen," shtoi zv/komandanti i përgjithshëm i Gardës së Revolucionit Islamik. Gjeneral Brigade Ali Fadavi në vazhdim tha se autoritetet në Uashington, Londër dhe Paris nuk do të ndryshojnë kurrë sjelljen e tyre përballë Iranit dhe ashtu si në 40 vitet e kaluara, ata do të vazhdojnë veprimet e tyre armiqësore, por "sidoqoftë, ne do t'i mposhtim ata si zakonisht". Ai shtoi se Irani do t'i përgjigjej reciprokisht lëvizjeve të armiqve në trazirat e fundit. "Nëse ne do të përdornim aftësitë e ndryshme të Revolucionit Islamik, ne jemi në gjendje të ndërhyjmë në çështjet më të imëta të çdo vendi, por ne nuk do ta bëjmë këtë, sepse Islami nuk e lejon këtë", shtoi zv/komandanti i përgjithshëm i Gardës së Revolucionit Islamik.