Nisma e Paqes në Hormuz, synon uljen e tensioneve rajonale
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abas Erakçi, tha se plani i propozuar i Teheranit për garantimin e sigurisë në Gjirin Persik synon të zvogëlojë tensionet në këtë rajon strategjik.
Erakçi në një takim me Zëvendësministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Khaled al-Xharallah të enjten, tha se një qasje konstruktive ndaj iniciativës së njohur si Nisma e Paqes në Hormuz - është një hap drejt reduktimit të tensioneve rajonale dhe riafirmoi gatishmërinë e Iranit për të krijuar një mekanizëm së bashku me të gjitha vendet e rajonit për të zbatuar këtë plan. "Irani beson në një bashkëpunim kolektiv midis shteteve të rajonit për ruajtjen e sigurisë dhe e konsideron dialogun si zgjidhjen e vetme për arritjen e një qëllimi të tillë dhe për zgjidhjen e vështirësive," tha diplomati i lartë iranian. Al-Xharallah, nga ana e tij, përshkroi negociatat si e vetmja mënyrë e mundshme për të zgjidhur krizat rajonale dhe theksoi nevojën për zgjerimin e lidhjeve bilaterale midis Iranit dhe Kuvajtit. Iniciativa e Iranit vjen ndërsa SHBA është duke u përpjekur të bindë aleatët e saj të krijojnë një koalicion detar duke kërkuar të forcojë sigurinë në Gjirin Persik, pasi fajësoi Teheranin për dy sulme të veçanta ndaj cisternave të naftës në Gjirin e Omanit në maj dhe qershor, pa ofruar asnjë dëshmi të besueshme për të mbështetur pretendimet, të cilat Irani i ka hedhur poshtë kategorikisht.