Irani nuk llogarit në ndihmën amerikane për luftën kundër koronavirusit
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abas Musavi reagoi, ndaj pretendimeve të zyrtarëve amerikanë për gatishmërinë për të ndihmuar Iranin në luftimin e koronavirusit dhe tha se Irani është skeptik në lidhje me objektivat e tyre të vërteta, kështu që nuk mbështetet në një ndihmë të tillë.
Duke folur para gazetarëve në kuadër të konferencës së tij të përjavshme për shtyp, Musavi përsëriti qëndrimin e Iranit për të mos marrë një ndihmë, e cila ofrohet vetëm në retorika politike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se megjithë pretendimet e pabaza të SHBA-së se ushqimet dhe produktet farmaceutike nuk janë sanksionuar, ata kanë bllokuar të gjitha kanalet bankare për të parandaluar çdo transaksion në këtë sektor. Duke iu referuar ndihmës që i është ofruar Iranit nga vendet e tij fqinje, Musavi tha se Irani gjithashtu do të ndihmojë vendet e tjera sepse lufta kundër koronavirusit është një çështje me rëndësi dhe dimensione ndërkombëtare. Ndër të tjera, ai shprehu shqetësimin për krizën humanitare në Siri, duke thënë se Irani fton të gjitha palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës. Musavi tha se gjatë ditëve të fundit, Presidenti iranian Hasan Ruhani ka zhvilluar biseda telefonike me homologët e tij rusë dhe turq. Ai shtoi se delegacionet nga ministritë e punëve të jashtme dhe të energjisë së Iranit do të vizitojnë së shpejti Rusinë.