Lideri Suprem shpreh ngushëllime për martirizimin e marinarëve iranianë
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei bëri thirrje për një hetim mbi një incident të fundit vdekjeprurës që përfshiu anijen logjistike Konarak të Marinës iraniane në ujërat jugore të Gjirit Persik.
Në një mesazh të martën drejtuar komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë së Iranit, gjeneralmajor, Abdolrahim Musavi, Lideri Suprem shprehu ngushëllime solemne për incidentin e dhimbshëm dhe të hidhur që çoi në martirizimin e 19 anëtarëve të personelit të Marinës së Iranit. Ajetollah Khamenei u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse iraniane që të hedhin dritë në mënyrë të duhur mbi rrethanat që lidhen me këtë incident, t'i identifikojnë ata që janë fajtorë dhe të marrin masat e nevojshme për t'u siguruar që incidente të tilla të hidhura nuk do të ndodhin përsëri në të ardhmen. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik deklaroi se pikëllimi i humbjes së të rinjve është tepër i rëndë për familjet e tyre, dhe shprehu ngushëllimet e tij të thella për ta. Incidenti ndodhi të dielën pasi një numër i anijeve të Marinës iraniane po zhvillonin një stërvitje pranë ujërave që gjendeshin afër porteve Xhask dhe Chabahar në ujërat jugore të Gjirit Persik. Nëntëmbëdhjetë njerëz kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë u plagosën në aksidentin që ndodhi në anijen logjistike Konarak të Marinës iraniane.