Marrëveshja ushtarake Teheran-Damask, Irani forcon mbrojtjen ajrore të Sirisë
Irani do të forcojë mbrojtjen ajrore të Sirisë, si pjesë e një marrëveshje më të gjerë të bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve.
"Ne do të forcojmë sistemet e mbrojtjes ajrore të Sirisë brenda kornizës së forcimit të bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve", tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, Gjeneral Major, Muhamed Bakeri, të Mërkurën pas nënshkrimit të një marrëveshje "gjithëpërfshirëse" me Ministrin Sirian të Mbrojtjes Ali Abdullah Ajub në Damask për të forcuar bashkëpunimin ushtarak dhe mbrojtës. Marrëveshja parashikon zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë si dhe vazhdimin e koordinimit midis Forcave të Armatosura të dy vendeve. Duke folur pas nënshkrimit të marrëveshjes në selinë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë dhe të Forcave të Armatosura Siriane, komandanti i lartë iranian tha se marrëveshja e nënshkruar "rrit vullnetin tonë për të punuar së bashku përballë presionit të SHBA". "Popujt dhe vendet e rajonit nuk e mirëpresin praninë e Shteteve të Bashkuara dhe përgjigja jonë ndaj presioneve amerikane do të vazhdojë," shtoi Bakeri. Duke folur mbi praninë ushtarake turke në tokën siriane, komandanti iranian tha se Turqia po zvarrit zbatimin e angazhimeve të saj në bazë të marrëveshjeve të Astanasë për largimin e grupeve terroriste nga Siria. Ai tha se Turqia duhet ta kuptojë se zgjidhja e problemeve të saj të sigurisë është përmes negociatave me palën siriane, dhe jo përmes dislokimit ushtarak në Siri. Ministri Sirian i Mbrojtjes, nga ana e tij, vlerësoi marrëdhëniet Damask-Teheran. "Nëse administratat amerikane do të kishin qenë në gjendje të nënshtrojnë Sirinë, Iranin dhe boshtin e rezistencës, ato nuk do të kishin ngurruar për asnjë moment," deklaroi Ali Abdullah Ajub.