Njeriu i cili ishte makth i Mossad
Ishte bërë makthi i Mossad-it. E kam fjalën për Ghasan-in. Kudo që shkonte në botë, ai merrte me vete hartën e përgjakur të Palestinës sikur të ishte një balonë i një fëmije me kokën lartë. Me fjalët e tij thuajse e kishte qëndisur çdo copë-copë dheu të atdheut dhe gjakun e vëllezërve dhe motrave të tij. Ai fliste e shkruante, por plumbat e fjalëve të tij ishin thumbime degësh të ngrohta ulliri që grisnin gjoksin e ftohtë të sionizmit.
Ai gjithnjë i kishte zemëruar dhe irrituar ata. Ata nuk dinin si ta hiqnin qafe sepse ai nuk i linte kurrë të qetë. Ata donin ta gëlltisnin Palestinën në heshtje kurse ai me fjalët e lapsit të tij i nxirrte nga goja e tyre copat e atdheut të vetë dhe i drejtonte plagët e tij drejt qiellit që t'i shihte Zoti. Por më në fund erdhi dita e premtuar dhe Ghassani u vra e përgjakur. Dhe ishte pikërisht nga atje, ai pa kurrfarë frike nguli rrënjët në të gjitha kopshtet e kolonizuara të botës; nga 8 korriku i vitit 1972, në Bejrut!
Ai ishte djali i atij babait
Emri i tij i plotë ishte Ghasan Fajd Kanfani. Sipas zakonit të arabëve, emri i babait duhet të vijë me emrin e fëmijës. Kjo është një lloj ndjenje përgjegjësie dhe përkushtimi për të vazhduar rrugën e të parëve ose ndoshta edhe një shenjë përkatësie. Babai i Ghassan, zoti Fajd, ishte avokat. Dhe kur fëmija i tij i tretë, Ghassan, lindi në vitin 1936, Palestina po pushtohej ngadalë nga britanikët për t'iu dhënë izraelitëve në të ardhmen e afërt!

Zoti Fajd akoma nuk ishte kënaqur mjaft me ëmbëlsinë e buzëqeshjes së Ghassan-it në krahët e jetës, kur u bashkua me "Lëvizjen Kombëtare kundër pushtimit britanik". Ai nuk mund të shihte tokën në të cilën fëmija i tij i tretë nuk kishte mësuar ende të ecte, duke u shkelur nga çizmet e kolonistëve. Toka e qytetit të tij "Akka" ishte e shenjtë dhe e dashur për të, por në vitin 1948, në atë vit të Nekbas, kur hija ogurzezë e sionizmit u ul mbi degët e ullirit të kësaj toke, dymbëdhjetëvjeçari Ghassan dhe i gjithë fisi Kanfani u dëbuan me dhunë dhe ndoshta më mirë është të themi u shpërngulen e mbetën pa shtëpi e truall.
Një kujtim i quajtur çelës
Palestinezët u dëbuan me dhunë nga toka e tyre. Pa pasur rastin për t'i dhënë lamtumirën "Kudsit" të shenjtë. Ata lanë shtëpitë e tyre me gjithë të qeshurat dhe kujtimet familjare dhe morën me vete vetëm çelësat e shtëpive. Ata i mbyllën dyert dhe i puthnin drynat dhe thanë: "Sanoud" por nuk u lejuan kurrë të ktheheshin në vendlindje.
Të gjitha shtëpitë u uzurpuan. Të gjitha dëshirat! Të gjitha albumet fotografike që kishte familja. Dhe Ghassan shkoi në Liban me familjen e tij dhe më pas në Damask ndërsa sytë e tij ishin ende në kërkim të Kudsit. Këto qytete dhe territore gjeografike ishin pika më e afërt me atdheun që ai ende e dashuronte me zemër e me gjithë shpirt, por "thoshin se nuk duhet ta dashurosh më" dhe ai nuk e pranoi këtë fjalë të imponuar me forcë dhe bëri durim.
Punëtor i çajtores
Gjithçka ishte kaotike; jeta, dera, muri dhe madje edhe dritaret. Njerëzit e fisit Kanfan u bënë të varfër. Ata ishin bërë njerëz që i kishin mbijetuar disi luftës dhe tani më nuk mund të siguronin bukën e gojës me duart e tyre, por Ghassan nuk ishte një adoleshent që të pranojë lëmoshë nga të tjerët, prandaj u bë punëtor në një dyqan çaji në Damask, do të thotë në një çajtore. Ai donte të mbante familjen e më pas atdheun. Ai mësonte natën dhe ditën u shërbente çaj burrave që ankoheshin nga shtypja dhe dhuna e izraelitëve dhe thoshte me vete: "Si mund të kthehem në një shtëpi, burrat e së cilës janë shpërngulur?!"
Por fati bëri që Ghassan, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, të bëhej një mësues në shkollat e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët për të trajnuar luftëtarë patriot për të çliruar atdheun e tij. Ai në të njëjtën kohë jepte mësim dhe studionte letërsi arabe në Universitetin e Damaskut dhe ishte ende i hutuar derisa takoi "Xhorxh Habash", një kryengritës revolucionar i Palestinës dhe me këtë rast, atij iu prishën të gjitha ekuacionet e heshtjes në ato vite adoleshencë.
Zotëri Kryeredaktor
Ishte në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit 20-të që Xhorxhi zbatoi në veprim mendimet dhe idetë që kishte ndarë me Ghassan dhe themeloi "Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës"; një organizatë kryengritëse dhe revolucionare, dega ushtarake e së cilës synonte të sulmonte interesat izraelite me operacione guerile dhe bombardime të objektivave civile, si dhe rrëmbim avionësh. Paqja e izraelitëve të cilën e kishin krijuar me pushtimin dhe uzurpimin e tokave të të tjerëve, tanimë u prish dhe sado që ata e kishin bërë Palestinën si "vend të sigurt" për veten e tyre duke dëbuar pronarët e saj, ajo tani ishte bërë e pasigurt për ata.
Dhe djaloshi Ghassan ishte zgjuar dhe duket sa tani kishte gjetur rrugën e kthimit për në atdheun e tij. Ai e kishte kuptuar se duhej të bërtiste për të sjellë zërin e shtypjes së dhunshme të palestinezëve në veshët e shurdhër të botës dhe kishte mësuar se fuqia e britmës së tij është pena dhe fjala. Ghassan ishte i lumtur dhe pranoi ofertën e Xhorxh Habashit. “Ç’ka më mirë se të flasësh e të shkruash për atdheun?" Dhe me gjithë trup e shpirt u bë zëdhënës i kësaj organizate dhe redaktor i gazetës së tij javore, “Al-Hadaf”.
Magjia e fjalës
Ghassan shkruante vazhdimisht dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve perëndimorë me vendosmëri në konferencat e shtypit. Në sytë e tij të ndritur kishte dritë dhe shpresë, besim dhe luftë, dhe këmbëngulje e guxim për ta çliruar dhe rimarrë atdheun. Ditët e frikës dhe heshtjes tanimë kishin mbaruar. Ghassan me penën e vet, u kishte dhënë forcën e rezistencës të gjithë shpirtrave të palestinezëve, dhe fjalët e tij ishin të shkruara në letra dhe mure, madje edhe në letra dashurie, dhe kaluan nga dora në dorë: "Shpatullat e burrave janë krijuar për të mbajtur armë. Ata ose janë kocka mbi tokë, ose janë kocka brenda në tokë". "Trupat rrëzohen, jo idetë” dhe “Kujdes nga vdekja natyrore dhe mos vdisni veçse mes shirave të plumbave”.
Fjalët e Ghassanit ishin: “Spatullat e burrave u krijuan për të mbajtur armë; Prandaj, këto kocka ose mbijetojnë dhe pas luftës bëhen pleq në tokë, ose vdesin dhe shkojnë në zemër të tokës. "Trupat rrëzohen (vriten, vdesin, humbasin) por mendimet kurrë!" Dhe "Kujdes nga vdekja natyrore dhe nuk duhet të vdisni, veçse në shiun e plumbave!"
Takimi me Annie Hoover
Ëndrra e Ghassan ishte Palestina. Por shtypja e dhunshme e detyroi atë të qëndronte çdo ditë në një vend të botës për ta ngritur zërin e tij. Ishte në vitin 1960 që ai u transferua në Kuvajt për një kohë të shkurtër, ku takoi Annie Hoover, një aktiviste daneze që ishte në Lindjen e Mesme për të mësuar më shumë rreth luftës palestineze.
Në fakt, ishte fryma e kërkimit të së vërtetës së të dyve ajo që i lidhi së bashku këta dy persona. Prandaj, Ghassan dhe Ani u martuan në vitin 1961 dhe patën dy fëmijë, një djalë të quajtur Fajd dhe një vajzë të quajtur Lejla. Annie Hoover shkroi për ato ditë në librin që shkroi për Ghassan shumë vite më vonë, i quajtur "Dedikuar Kanfani, burrit tim, mësuesit tim" dhe tha: "Unë erdha në Liban për të studiuar problemin palestinez më shumë se dhjetë vjet më parë. E gjeta Palestinën tek ju – tokën dhe njerëzit e saj – dhe me martesën tonë u bëra pjesë e Palestinës”.
Negociatat mes qafës dhe shpatës
Ghassan ishte bërë baba tani. Një baba i cili dëshironte që fëmijët e tij të thithnin ajrin e atdheut dhe të shtrëngonin grushtet e vet me dheun e tokës së baballarëve dhe të parëve të tyre. Ai ishte në një gjendje shpirtërore shumë të çuditshme. Nuk mund të fle. Ai lexonte gjashtëqind faqe në ditë, shkruante e i përgjigjej pyetjeve të ndryshme. Ai shpaloste kërkesat e popullit të tij dhe një pjesë të madhe të ditës e kalonte duke bërë intervista me gazetarë të cilët përpiqeshin ta prezantonin tokën e Palestinës si një e drejtë e patjetërsueshme të Izraelit. Ghassan ishte ende i ri, por dhuna dhe padrejtësia që ishte bërë ndaj tij, e kishte plakur atë mjaftë shumë. Ai nuk ishte më i mbyllur në vetvete. Shpirti i tij ishte tretur në penën e tij dhe pena e tij kishte tejkaluar nëpër të gjithë kufijtë e botës. Ai ishte Palestina dhe Palestina ishte tërësia e tij.
Ai nuk mund të pranonte që t'i kërkonin të negocionte me ata që ua grabitën me dhunë atdheun dhe ua uzurpuan me forcë nga duart e prindërve dhe bashkatdhetarëve të tij. Ai nuk mund të pranonte të bënte një marrëveshje për atdheun dhe kur "Richard Carleton" i tha në një intervistë: "Pse organizata juaj nuk pranon bisedimet e paqes me izraelitët?"
Ai tha: “Ju nuk e keni fjalën saktësisht për bisedime të paqes. Por, qëllimi juaj do të thotë kapitullim, dorëzim dhe nënshtrim". Richard Carleton me gjakftohtësi e pyeti atë përsëri: "Pse nuk zhvilloni negociata?" Ghassan tha: "Me kë duhet të negociojmë?" Carleton tha me vetëbesim: "Udhëheqësit izraelitë". Ghassan u përgjigj me vendosmëri: "Ky është një lloj dialogu midis shpatës dhe qafës, këtë e pate për qëllim?".
Fjala nuk ka fund
Dy vjet pas kësaj interviste, në korrik të vitit 1972, erdhi dita që pritej ashtu si për të gjithë aktivistët palestinezë. Ghassan ishte gati për të pritur plumbat e armikut. Ai e dinte se ose do të kthehej në Palestinë ose do të vritej për të. Ai e dinte se vdekja në rrugën drejt qëllimit do të thotë jetë e amshueshme. Dhe bota e kuptoi gjithashtu se emri i këtij të riu nuk e meriton të vdesë në shtrat.
Ishte 8 korriku i vitit 1972, dhe ai ishte në Bejrut. Ghassan po përgatitej që të njëmijtën herë të thyente hegjemoninë e uzurpatorëve dhe pushtuesve të vendit të tij me fjalët e tij, por Mossad pa fundin e tregimit të të gjitha vuajtjeve, dashurisë, shpresës, pritjes dhe rezistencës së Ghassan në copëtimin e trupit të tij.
Ghassan dhe nipi i tij Lemis hipën në makinë. Ghassan ktheu çelësin dhe makina shpërtheu. Disa orë më vonë, Mossad mori përgjegjësinë për këtë sulm terrorist dhe Golda Meir, kryeministrja e atëhershme e regjimit pushtues, tha: "Sot ne hoqëm qafe një ushtri të armatosur intelektuale!"
Dhe këto ishin të gjitha përpjekjet e izraelitëve për ta fundosur fjalën e lirë thellë në tokë, por a nuk e dinin se Ghassan është si një farë që mbillet në të gjitha zemrat e luftëtarëve dhe kërkuesve të së vërtetës, dhe fjalët e tij janë shpirti që futet në të gjithë muret e qytetit? A nuk e dinin se trashëgimia e tij për historinë është fjala dhe fjala është një trashëgimi që nuk humbet? Sipas Mahmoud Darwish: "Pavarësisht nëse Ghassan është në parajsë apo në ferr, ai edhe atje me patjetër do t'i përfshijë njerëzit me çështjen e Palestinës". Dhe jam i sigurt që ata nuk e dinin as këtë.