Nasrullah: Ne hymë në këtë betejë që më 8 tetor
Sejed Hasan Nasrullah, sekretari i përgjithshëm i Rezistencës Islamike të Libanit (Hezbullah), mbajti sot fjalimin e tij të drejtpërdrejtë në lidhje me zhvillimet e fundit në Palestinë dhe operacionin e rezistencës palestineze Stuhia Al-Aksa kundër forcave pushtuese sioniste.
Sejed Hasan Nasrullah, sekretari i përgjithshëm i Rezistencës Islamike të Libanit (Hezbullah), sot para mijëra qytetarëve të Libanit në Bejrut, deklaroi: Rezistenca Islamike e Libanit krenohet me gjakun e "Dëshmorëve të Rrugës së Kudsit". Unë i shpreh urimet e mia më të sinqerta për familjet e dëshmorëve të cilat kanë arritur ta fitojnë këtë medalje hyjnore.
Ai shtoi: "Para posedimit të armëve luftarake, fuqia jonë e vërtetë është besimi, vigjilenca, zgjuarsia, besnikëria e thellë ndaj këtij ideali, gatishmëria e lartë për sakrificë si dhe durimi i pa fund dhe pa kufi, simbol i të cilit janë vetë familjet e dëshmorëve".
Sejed Hasan Nasrullah theksoi: "Agresioni, dhuna, shtypja dhe shkelja e të gjitha rregullave dhe kufijve në politikat e armikut sionist u shtua në mënyrë të vazhdueshme, prandaj duhet të krijohej një ngjarje e madhe e cila do të shkaktonte një tronditje të madhe në këtë regjim pushtues dhe te mbështetësit e tij hegjemonistë, sidomos në Uashington dhe në Londër. Operacioni i madh Stuhia Al-Aksa ka shkaktuar një tërmet dhe një tronditje të madhe në fushën e sigurisë dhe në fushën politike si dhe nga aspekti psikologjik dhe moral në nivel të regjimit sionist që do të ketë pasoja ekzistenciale dhe strategjike për ata dhe do të ushtrojë ndikim të madh mbi të tashmen dhe të ardhmen e regjimit pushtues sionist".
"Fakti se gjeneralët amerikanë kanë ardhur te ky regjim dhe Amerika ka hapur depot e armëve të veta për ushtrinë e regjimit pushtues sionist dhe që nga dita e parë, regjimi i Tel Avivit ka kërkuar 10 miliardë dollarë ndihmë; a do të thotë se ky regjim është i fuqishëm dhe mund të qëndrojë në këmbët e tij?, pyeti Nasrullah.
Lideri i Hezbollahut shtoi: " Sot, dëshmorët e Rripit të Gazës janë gratë dhe fëmijët e këtij rajoni, të cilët heqin të gjitha maskat e armikut sionist dhe zbulojnë fytyrën e tij të vërtetë, të armikut që për mbështetjen e tij janë mobilizuar të gjitha mediat e botës.
Ajo çfarë po ndodh në Rripin e Gazës, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Amerikës dhe tregon hipokrizinë e Uashingtonit ndaj të gjitha këtyre vrasjeve.
Ngjarjet e Rripit të Gazës po tregojnë natyrën barbare dhe të egër të këtij regjimi pushtues, të këtij regjimi të cilën fuqitë e mëdha e kanë imponuar për rajonin tonë".
Duke ju drejtuar vendeve arabe dhe myslimane ai theksoi: "Ju duhet të bëni përpjekje për ndërprerjen e agresionit dhe sulmeve kundër Rripit të Gazës. Nuk mjafton vetëm të dënohen sulmet dhe krimet. Ndërprisni marrëdhëniet dhe tërhiqni ambasadorët tuaj.
Më parë bënim thirrje që t'i ndërprisni eksportet e naftës drejt Amerikës kurse sot për fat të keq, po u kërkojmë juve të ndërprisni eksportet e naftës në Izrael! Nuk keni pak fuqi që të hapni korridorin Rafah?!
"Ne kemi hyrë në këtë betejë që më 8 tetor. Ajo që po zhvillohet në frontin tonë, është e rëndësishme dhe ushtron ndikim. Ajo çfarë po ndodh në frontin e Libanit, konsiderohet e paprecedent në historinë e këtij regjimi pushtues. Rezistenca e Libanit ka hy në një betejë të vërtetë të cilën e kuptojnë vetëm ata persona që janë të pranishëm në zonat kufitare", tha Nasrullah duke shtuar: "Armiku është i shqetësuar për intensifikimin e luftimeve të këtij fronti (frontit verior) dhe për zgjerimin e luftës në këtë front. Operacionet e rezistencës në jug të Libanit i bëjnë të qartë armikut se ka bërë gabimin dhe marrëzinë më të madhe të historisë. Unë e paralajmëroj armikun sionist në lidhje me kalimin e kufijve dhe për sulmet ndaj civilëve të Libanit. Veprime të tilla bëhen shkak për krijimin e ekuacionit "civilë kundrejt civilëve". Po e them plotësisht në mënyrë të qartë dhe të paqartë se të gjitha opsionet mund të ndodhin në frontin e Libanit dhe në çdo çast mund të ndërmerren veprime të caktuara, prandaj të gjithë duhet të përgatiten për të gjitha opsionet e mundshme".
Sejed Hasan Nasrullah në vazhdim e paralajmëroi edhe Amerikën duke theksuar: "Anijet tuaja luftarake në Detin Mesdhe nuk na kanë frikësuar dhe kurrë nuk do të na frikësojnë. Unë po ju them se kemi përgatitur pajisjet adekuate edhe për anijet tuaja luftarake me të cilat na kërcënoni. Në rast të shpërthimit të luftës rajonale, do të sakrifikohen në radhë të parë interesat tuaja dhe ushtarët tuaj dhe ju do të jeni humbësit e mëdhenj të kësaj lufte".
Sekretari i përgjithshëm i Hezbullahut të Libanit duke iu drejtuar forcave të rezistencës në rajon, deklaroi: "Akoma kemi nevojë për kohë, mirëpo hap pas hapi do të fitojmë. Në vitin 2006 dhe në Gaza kemi fituar në këtë mënyrë dhe rezistenca në Gaza në këtë mënyrë ka arritur të shënojë suksese. Ajetullah Khamenei në luftën e Libanit më ka thënë "ju do të fitoni" dhe ne fituam. Ai edhe në lidhje me luftën në Rripin e Gazës në mënyrë të sigurt ka thënë se "Gaza do të fitojë dhe Palestina do të fitojë". Po, me siguri se Gaza do të fitojë dhe Palestina do të fitojë dhe ne së shpejti do ta festojmë këtë fitore".