Kryeministri i Irakut hedh poshtë gënjeshtrat e SHBA-së, dënon agresionin
Gjashtëmbëdhjetë persona u vranë, mes tyre civilë dhe 25 u plagosën në sulmet ajrore të SHBA-së në Irak gjatë natës së kaluar, ka thënë zyra e kryeministrit irakian Mohammed Shia al-Sudani.
Në një deklaratë, ai dënoi sulmet si një "agresion të ri kundër sovranitetit të Irakut" dhe mohoi se ato ishin koordinuar paraprakisht nga qeveria e Bagdadit dhe Uashingtoni, duke i quajtur pohime të tilla "gënjeshtra".
"Prania e trupave amerikane në rajon është bërë një arsye për kërcënimin e sigurisë dhe stabilitetit në Irak dhe një justifikim për përfshirjen e Irakut në konfliktet rajonale dhe ndërkombëtare", shtohet në deklaratë.
"Këto sulme ajrore përbëjnë një shkelje të sovranitetit të Irakut," tha në një deklaratë më parë zëdhënësi ushtarak irakian, Jahja Rasul.
Ai vuri në dukje se veprimet e ndërmarra nga Uashingtoni do të kenë "pasoja katastrofike për sigurinë dhe stabilitetin e Irakut dhe rajonit".
Në hakmarrje për valën e fundit të sulmeve ajrore të SHBA-së në disa lokacione në Irak dhe Siri, Rezistenca Islamike në Irak njoftoi se kishte kryer sulme me raketa kundër bazës ajrore Ain al-Asad, ku strehohen forcat pushtuese amerikane në provincën perëndimore të Irakut al- Anbar.
Grupi tha gjithashtu se kishte organizuar sulme me raketa dhe dronë kundër bazës strategjike ushtarake amerikane al-Tanf në Sirinë juglindore pranë kufirit me Jordaninë dhe Irakun, si dhe në bazën al-Khadra në provincën verilindore të Sirisë, Hasakah.