Nasrullah: Izraeli donte të shkatërronte Hamasin, tani negocion me të
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut të Libanit tha se Izraeli, i cili më parë deklaronte shkatërrimin e Hamasit si qëllimin e tij kryesor, tani ka hyrë në negociata me Hamasin përmes ndërmjetësuesve.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut të Libanit, Sejed Hasan Nasrullah, të mërkurën në mbrëmje, në një pjesë të fjalimit të tij me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, ka trajtuar zhvillimet aktuale në Rripin e Gazës.
Sejed Hasan Nasrullah tha: “Netanyahu thotë se nëse nuk shkojmë në Rafah, do ta humbim luftën; ndërsa ne i themi atij se edhe nëse shkoni në Rafah, ju e keni humbur luftën dhe nuk mund ta shkatërroni as Hamasin dhe as rezistencën e Gazës! Nuk keni mundur të paraqisni një imazh të vetëm fitoreje dhe as të arrini ndonjë nga objektivat që keni deklaruar”.
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut shtoi: “Një nga shenjat e humbjes së armikut është se ata shpallën se qëllimi i tyre më i madh është shkatërrimi i Hamasit. Ndërsa tani, në muajin e gjashtë të luftës, pushtuesit po negociojnë me Hamasin përmes ndërmjetësuesve. Sot Hamasi negocion në emër të Rezistencës dhe nuk është në pozitë dobësie; madje ai vendos edhe kushtet”.
Sejed Hasan Nasrullah vazhdoi: “Çështja nuk kufizohet vetëm në shkëmbimin e të burgosurve, por qëndrimi i Rezistencës në Gaza është për ndërprerjen e plotë të agresionit izraelit dhe jo për një pauzë të përkohshme, me të cilën duhet të jemi dakord të gjithë”.
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut shtoi: “Ne, në frontin mbështetës të Libanit, theksojmë qëndrimin tonë me të gjitha grupet palestineze dhe me udhëheqjen e Hamasit, si dhe i mbështesim kushtet e drejta që vë Hamasi”.
Sejed Hasan Nasrullah tha gjithashtu: “Kush beson se Biden nuk mund ta ndalë luftën në Gaza?! Me një nënshkrim, Biden mund ta ndalë luftën në Gaza dhe Liban”.
Në një pjesë tjetër të fjalës së tij, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut shtoi: “As Amerika, as Anglia dhe as evropianët që iu bashkuan atyre, nuk mundën të ndalnin operacionet e vëllezërve jemenas. Operacionet e rezistencës irakiane dhe lëshimi i dronëve dhe raketave drejt Palestinës së pushtuar vazhdojnë”.
Sejed Hasan Nasrullah theksoi: “Pas 5 muajsh, ushtria izraelite po përballet me mungesë forcash dhe dëshiron të rekrutojë 14500 oficerë dhe ushtarë; madje dëshiron të rekrutojë edhe grupin (ultra-ortodoks fetar) 'Haredi'. Ushtria izraelite është e rraskapitur dhe e shkatërruar në të gjitha frontet dhe numri i të vrarëve në mesin e tyre është shumë i lartë, shumë më tepër nga sa deklarojnë ata. Për sa i përket frontit verior, ka shumë heshtje në lidhje me viktimat në mesin e ushtarëve dhe dëmtimet e mjeteve ushtarake”.
Në fund, Sejed Hasan Nasrullah theksoi: “Detyra dhe përgjegjësia e të gjithëve ne është qëndrueshmëria dhe stabiliteti. Boshti i Rezistencës është në pozita fuqie dhe armiku në pozita dobësie. Ne duhet të falënderojmë njerëzit që organizuan demonstrata në Amerikë. Vazhdimi i këtyre situatave stresuese mund të hapë dyert e shpresës”.