Martirizohet xhaxhai i Sejid Hasan Nasrallah në sulmet izraelite në Bejrut
Mediat libaneze njoftuan të mërkurën mbrëma se xhaxhai i dëshmorit Sejid Hasan Nasrallah dhe familja e tij ranë dëshmorë në sulmin e regjimit sionist në qytezën "Al-Bazourieh" në jug të Libanit.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, cituar nga agjencia palestineze e lajmeve "Sama", Abdullah Nasrallah (Haj Abu Haider), xhaxhai i Sejid Hasan Nasrallah, dhe tre nga fëmijët e tij u martirizuan në sulmin izraelit në al-Bazourieh, në jug të Libanit.
Gjithashtu, rrjetet televizive Al-Mayadeen dhe Al-Jazeera e Katarit raportuan në orët e para të së enjtes se edhe një zonë afër aeroportit "Rafik al-Hariri" në jug të Bejrutit u bombardua nga Izraeli.
Sipas këtij raporti, në këtë sulm, zona si “Al-Kaim”, “Tahwitet al-Ghadir” dhe “Al-Awza'i” në afërsi të aeroportit të Bejrutit janë sulmuar nga avionët luftarakë të regjimit sionist.
Nga ana tjetër, pak orë më parë, rrjeti televiziv Al-Jazeera raportoi se zona përreth qytezës "Mexhdel Belhis" në perëndim të rajonit Bekaa në Libanin lindor ishte në shënjestër të një sulmi ajror të regjimit sionist.
Mediat libaneze gjithashtu njoftuan të mërkurën mbrëma se në 30 sulme të regjimit sionist në lindje të këtij vendi mbetën të martirizuar 50 persona dhe u plagosën 63 të tjerë. Në këtë sulm, provincat "Baalbek al-Hermel" dhe "Bekaa al-Awsat" u vunë në shënjestër të bombardimeve ajrore.
Gjithashtu, ndërtesa historike “Al-Munshiyeh” e vendosur përballë hotelit Palmyra dhe ngjitur me parkun antik “Al-Khan” është shkatërruar plotësisht.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit bëri të ditur të mërkurën se numri i dëshmorëve në këtë vend, si pasojë e sulmeve të regjimit sionist, ka arritur në 3500 persona.
Kjo ministri shtoi se, si pasojë e sulmeve të djeshme të regjimit sionist në pjesë të ndryshme të Libanit, 37 persona kanë rënë dëshmorë dhe 105 të tjerë janë plagosur.
Që nga fillimi i sulmeve të regjimit sionist në Liban, janë plagosur edhe 13658 persona të tjerë.