Ushtria pushtuese urdhëron evakuimin e spitalit "Kamal Adwan" në Gaza
Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza njoftoi se ushtria e regjimit sionist ka paralajmëruar drejtorinë e spitalit "Kamal Adwan" në Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës që ta evakuojnë menjëherë këtë spital.
Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, të shtunën, Mounir Al-Barsh, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, tha për agjencinë e lajmeve Anadolu Ajansi: "Spitali Kamal Adwan ndodhet në një situatë katastrofike. Ushtria pushtuese kërkon evakuimin e menjëhershëm të këtij spitali, ndërkohë që ai ndodhet nën bombardimet direkte."
Al-Barsh shtoi: "Pushtuesit e kanë vënë në shënjestër këtë spital duke qëlluar me snajper dhe predha të lëshuara nga tanket në pjesë të ndryshme të tij."
Ai shpjegoi: "Zjarri ka depërtuar në mure dhe ka arritur në brendësi të pavjoneve duke shkaktuar dëme të rënda, sidomos në pavjonet e fëmijëve dhe të kujdesit special."
Më tej, ai theksoi: "Ky sulm ishte i paprecedentë dhe ekipet mjekësore janë mbledhur në një vend të caktuar për të shpëtuar jetët e tyre."
Al-Barsh u bëri thirrje vendeve në mbarë botën që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ndalur të tilla sulme, të cilat rrezikojnë jetët e pacientëve dhe të personelit mjekësor.
Husam Abu Safiya, kreu i spitalit "Kamal Adwan", të shtunën njoftoi se ky spital është nën një sulm izraelit të paprecedentë, predhat e të cilit kanë depërtuar në pavjonet e tij dhe kanë shkaktuar dëme të rënda.
Ndërkohë, mediat palestineze raportuan se si pasojë e sulmeve të forcave pushtuese që kishin në shënjestër zonën përreth spitalit, përveç shpërthimit të një roboti bombëvënës në këtë vend, janë shkaktuar edhe dëme në pavjonet e spitalit Kamal Adwan.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës gjithashtu tha: "Bombardimet e rënda dhe shumë të dhunshme, pa paralajmërim paraprak, kanë shkatërruar departamentin e kujdesit intensive dhe atë të fëmijëve të spitalit Kamal Adwan."
Regjimi sionist vazhdon të sulmojë çdo ditë spitalin "Kamal Adwan", ku sipas deklaratave të mëparshme të kreut të spitalit, Abu Safiya, mes pacientëve dhe personelit mjekësor ka shumë dëshmorë dhe të plagosur dhe përveç kësaj, spitalit i janë shkaktuar dëme të konsiderueshme.