Nasrullah: Vetëm Irani dhe Siria ndihmuan Libanin t’i japë fund pushtimit
Sekretari i Përgjithshëm i lëvizjes së rezistencës libaneze Hezbollah, Sejed Hasan Nasrullah, deklaroi se kur Libani jugor u pushtua nga Izraeli, asnjë vend në botë, përveç Iranit dhe Sirisë, nuk i ndihmoi vendit t’i jepte fund okupimit sionist.
Nasrullah i bëri këto deklarata në një fjalim në përkujtim të 17 vjetorit të çlirimit të Libanit jugor nga pushtimi izraelit. Duke folur për kombin nga qyteti jugor i Hermelit, Nasrullah tha se rezistenca ka mjaft forca për të mos pritur mbështetje nga pjesa tjetër e botës. Ai tha se kur Libani ishte i pushtuar, asnjë vend në botë, as Organizata e Bashkëpunimit Islamik, as Liga Arabe, as Kombet e Bashkuara apo Amerika nuk e ndihmuan Libanin. "Vetëm Republika Islamike e Iranit dhe Siria ndihmuan Libanin kundër pushtimit izraelit"- shtoi shefi i Hezbollahut. Duke iu referuar një takimi të kohëve të fundit midis udhëheqësve të disa shteteve arabe në kryeqytetin saudit, Riad, ku mori pjesë edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump, shefi i Hezbollahut tha se çdo gjë që është thënë dhe vendosur gjatë takimit në Riad nuk do të kishte efekt në situatën në Liban. Nasrullah shtoi se Arabia Saudite thjesht e ftoi Trumpin që të merrte mbështetjen e tij përballë kritikave globale në rritje ndaj rolit të Riadit në nxitjen e terrorizmit. "E gjithë bota e di se Arabia Saudite është prapa përhapjes së ideologjisë terroriste takfiriste", tha kreu i Hezbollahut. "Arabia Saudite është qendra e terrorizmit botëror. Regjimi Al Saud është përgjegjës për krijimin dhe furnizimin e grupeve terroriste të al-Kaidës, talebanëve dhe ISIS-it. Ideologjia e vehabiste mbretërisë saudite është duke ndezur flakët e sektarizmit dhe konfliktit në botën muslimane ", tha ai.