Forcat irakiane çlirojnë katër distrikte në Tel Afar
Forcat qeveritare irakiane kanë çliruar katër distrikte në Tel Afar pasi janë të angazhuar në një operacion të madh në terren për të çliruar qytetin verior nga pushtimi i terroristëve të ISIS.
Mediat irakiane njoftuan se komandanti i Forcave të Policisë Federale, gjeneral-lejtnant Raed Shaker Xhoudat tha të dielën se forcat e sigurisë, të mbështetura nga anëtarët e Shërbimit Kundër Terrorizmit dhe nga njësitë e forcave pro-qeveritare të mobilizimit (PMU), kanë rimarrë rajonet Abra al-Naxhar, Abra Hanish, Abra e Madhe dhe Abra e Vogël. Ndërkohë, komandanti i operacionit të clirimit të qytetit Tel Afar, gjeneral-lejtnant Abdul Amir Jarallah, tha se forcat e sigurisë kanë rimarrë fshatrat Batisha, al-Alam, Khafaxhah, Halabija e sipërme dhe Marazif në lindje të Tel Afar dhe fshatrat Kazal Kiyu dhe Kasr Mihrab në jugperëndim të qytetit. Përveç kësaj, zëdhënësi i Komandës së Përbashkët të Operacioneve të Irakut, gjeneral brigade Jahja Rasul, tha se është llogaritur se 1,400 terroristë të ISIS, kryesisht shtetas arabë dhe të huaj, janë vendosur në Tel Afar, që ndodhet 63 kilometra në perëndim të Mosulit. Ai shtoi se forcat e sigurisë kanë hapur një rrugë të sigurt të daljes për civilët, duke theksuar se forcat e sigurisë kanë forcuar rrethimin e terroristëve për të mos lejuar që ata të ikin në territorin sirian. Kryeministri irakian Heidar Abadi njoftoi sot fillimin e një ofensive tokësore për të rimarrë qytetin Tel Afar. "Ju ose dorëzoheni ose vdisni", ju drejtua Abadi terroristëve të ISIS, të cilët kanë qenë në kontroll të qytetit që nga viti 2014.