Ditët e fundit të ISIS në Irak
Kryeministri dhe komandanti i forcave të armatosura të Irakut, Heidar Abadi, në një deklaratë, theksoi se faza e parë e operacionit të çlirimit të rajonit Havixhah në provincën Kirkuk ka filluar dhe do të konkludojë në çlirimin e të gjitha territoreve të Irakut dhe do ta pastrojë atë nga terroristët e ISIS.
Abadi theksoi se forcat irakiane në të njëjtën kohë po zhvillojnë disa beteja në fronte të ndryshme dhe terroristët e ISIS do të provojnë shijen e hidhur të disfatës. Grupi terrorist i ISIS, i cili është afër fundit të tij në Irak, kërkon të evitojë disfatën përfundimtare duke intensifikuar krimet e tij, dhe kjo gjë ka çuar në shtimin e krimeve të këtij grupi terrorist në javët e fundit në Irak. Këto zhvillime, si dhe sabotimet e të ashtuquajturit koalicion kundër terrorizmit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në përpjekjet e Irakut për t'i dhënë fund pranisë së ISIS në Irak, kanë bërë që irakianët të përshpejtojnë operacionet përfundimtare të spastrimit të zonave të kontrolluara nga ISIS. Intensifikimi i operacioneve kundër terrorizmit në Irak në javët e fundit, që ndodh pas spastrimit të plotë të Mosulit nga prania e terroristëve të ISIS-it, pasqyron një proces të përshpejtuar të eliminimit të terroristëve në rajon. Në rrethana të tilla, irakianët kanë filluar operacionin për çlirimin e rajonit Havixhah për të plotësuar fitoren përfundimtare mbi ISIS pas operacioneve të suksesshme në Tal Afar. Havixhah ndodhet rreth 30 kilometra në jugperëndim të qytetit të Kirkukut dhe para okupimit nga grupi terrorist ISIS në mesin e vitit 2014 ishte i banuar nga rreth gjysmë milioni njerëz. Shumica e banorëve të këtij qyteti janë fise arabe dhe kryesisht punojnë në fushën e bujqësisë. Në shikim të parë, rëndësia e çlirimit të rajonit Havixhah është vazhdimi i çlirimit të territoreve të pushtuara nga ISIS dhe pozita e tij demografike, gjeografike dhe bujqësore. Në këtë mënyrë, çlirimi i qytetit Havixhah duhet të shihet si përfundimi i hallkave të fitores mbi ISIS dhe si përpjekje përfundimtare për çlirimin e plotë të territorit të Irakut. Një faktor tjetër i rëndësishëm në përshpejtimin e veprimeve të Irakut për të çliruar rajonin Havixhah është përpjekja e qeverisë dhe e forcave të armatosura irakiane për të kundërshtuar lëvizjen e rajonit të Kurdistanit të Irakut për të mbajtur një referendum mbi shkëputjen nga Iraku. Lëvizjet për t'a bashkuar provincën Kirkuk në mbështetje të referendumit kurd kanë treguar se çështja e referendumit të ndarjes së Kurdistanit është më e ndërlikuar sesa ishte menduar. Qeveria e Irakut me përpjekjet për t’a rikthyer rajonin Havixhah në "Irakun e bashkuar" ka hedhur një hap të rëndësishëm në dështimin e përpjekjeve për shpërbërjen e Irakut.