Vriten 11 terroristë të ISIS pranë kufirit Irak-Iran
Një zyrtar i lartë ushtarak irakian njoftoi se 11 terroristë të ISIS-it u vranë kur avionët luftarakë të Forcave Ajrore irakiane bombarduan pozicionet e tyre në krahinën lindore Dijala pranë kufirit me Iranin.
Rrjeti televiziv al-Sumaria raportoi se komandanti i operacioneve në rajonin e lumit Tigër, gjeneral-lejtnant Mizher al-Azavi, tha të dielën se 11 militantë të ISIS u vranë pasi avionët ushtarakë irakianë kryen sulme precize kundër kampit të tyre në veri të qytetit al-Mukdadijah, që ndodhet rreth 80 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bagdad. Azavi shtoi se ekstremistët e ISIS kanë pësuar humbje të mëdha gjatë disa muajve të fundit, pasi forcat qeveritare, të mbështetura nga luftëtarë të Njësive popullore të mobilizimit - të njohura si Hashd al-Sha'abi, kanë bombarduar vendstrehimet e tyre në disa zona të provincës Dijala . Ndërkohë, komiteti i sigurisë në këshillin e provincës Dijala njoftoi të dielën se një guvernator i vetëshpallur i ISIS, identiteti i të cilit nuk u bë publik, ishte vrarë, pasi avionët ushtarakë irakianë goditën terroristët në zonën Hoz Naft Khaneh, që ndodhet 90 kilometra në verilindje të kryeqytetit provincial Bakuba.