Erdogan: Një helikopter turk është rrëzuar në Siri, do përgjigjemi ashpër
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pohoi se një prej helikopterëve ushtarakë të vendit është qëlluar pranë kufirit me Sirinë.
Erdogan tha të shtunën se helikopteri po merrte pjesë në ofensivën ushtarake turke në Sirinë veriore kur u rrëzua, ndërsa po fluturonte mbi një zonë në provincën Hatay të Turqisë. Ai tha se Turqia do të reagonte ashpër ndaj sulmit dhe se "autorët" do të paguanin një "çmim të rëndë" për rrëzimin e helikopterit. Më vonë, kryeministri turk Binali Yildirim i tha medias lokale se dy ushtarë turq u vranë në këtë incident. Në deklaratën e tij televizive, Erdogan nuk fajësoi kurdët apo ndonjë palë tjetër për rrëzimin e helikopterit. Një zëdhënës i milicisë kurdë siriane, i identifikuar si Mustafa Bali, mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se helikopteri ishte rrëzuar nga luftëtarët kurdë, në rajonin Afrin në Sirinë veriperëndimore. Operacioni në Afrin, i quajtur "Dega e Ullirit", ka shkaktuar zemërimin e Uashingtonit, i cili mbështet militantët kurdë. Ndërkohë, qeveria e Sirisë e sheh operacionin si një shkelje të sovranitetit të saj. Fushata e kushtueshme është provuar të jetë më vdekjeprurësja e të gjitha aventurave ushtarake të Turqisë brenda territorit sirian gjatë viteve të fundit. Autoritetet turke kanë konfirmuar vdekjen e dhjetëra ushtarëve turq gjatë javëve të fundit.