Vazhdon dorëzimi i militantëve në Siri
Grupi i parë i militantëve kanë dorëzuar armët dhe e kanë lënë Ghouta Lindore, ndërsa një numër gjithnjë e më i madh i luftëtarëve rebelë në Siri kërkojnë të largohen nga terroristët e Fronti al-Nusra, njoftoi ushtria ruse.
"Disa përfaqësues të grupeve të armatosura të paligjshme kanë intensifikuar përpjekjet për të kontaktuar me forcat qeveritare siriane dhe Qendrën ruse për pajtimin me qëllim të diskutimit të ndarjes së tyre nga grupi terrorist Fronti al-Nusra," tha gjeneral Juri Jevtushenko, kreu i Qendrës ruse të Pajtimit në Siri. Përpjekjet për të ndarë të ashtuquajturit luftëtarë të moderuar të opozitës nga teroristët vazhdojnë në periferi të Damaskut, në Ghouta Lindore. Qeveria siriane krijoi një korridor humanitar i cili mbetet i hapur për civilët dhe militantët të cilët janë të gatshëm të dorëzojnë armët e tyre. Grupi i parë i 13 militantëve përdori portën për të dalë nga periferia e Damaskut, e kontrolluar nga rebelët, nëpërmjet korridorit Muhayam al-Wafideen gjatë natës. Nuk ka provokime pas daljes së militantëve, tha gjenerali rus, duke shtuar se ata që janë dorëzuar do të transportohen në Idlib, ndërsa negociatat vazhdojnë lidhur me dorëzimin e militantëve të tjerë.