OKB kërkon hetime transparente për rastin Khashoggi
(last modified Fri, 04 Jan 2019 09:14:16 GMT )
Janar 04, 2019 10:14 Europe/Tirane
  • OKB kërkon hetime transparente për rastin Khashoggi

Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB ka kërkuar kryerjen e hetimeve transparente mbi rastin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Farhan Hak, duke reaguar ndaj seancës së parë gjyqësore për dënimin e autorëve përgjegjës për vrasjen e gazetarit Khashoggi ka kërkuar transparencë në procesin gjyqësor. Arabia Saudite njoftoi se ka mbajtur një seancë fillestare mbi dosjen e vrasjes së gazetarit disident Jamal Khashoggi, ndërsa prokurori publik kërkoi dënimin me vdekje për pesë të dyshuar. Agjencia shtetërore saudite e lajmeve (SPA) njoftoi se në seancën gjyqësore, e cila u mbajt të enjten në Riad, prokurori kërkoi që "dënimet e duhura" të vendoseshin ndaj 11 të pandehurve dhe që "dënimi me vdekje" të jepej për pesë prej tyre për përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në vrasje. Ky burim gjithashtu vuri në dukje se Riadi kishte dërguar dy letra tek prokurori publik turk duke kërkuar prova të tjera në këtë rast, por deri më tani nuk kishte marrë përgjigje. Ankaraja i ka bërë thirrje Arabisë Saudite të ekstradojë të dyshuarit për t'u gjykuar në Stamboll, një kërkesë e refuzuar nga Riadi. Zyrtarët turq në disa raste janë ankuar për mungesën e bashkëpunimit nga ana e Riadit në këto hetime. Pas disa javësh të mohimit të ndonjë përfshirjeje në zhdukjen e Khashoggi, regjimi i Riadit përfundimisht pranoi vrasjen me paramendim, por kërkoi të distancojë trashëgimtarin e fronit nga ky rast. CIA thuhet se ka arritur në përfundimin se Muhamed bin Selman kishte urdhëruar vrasjen e gazetarit kritik të regjimit saudit.

 

Tags