Izraeli frikësohet nga protestat e "Marshit të Madh të Kthimit"
Në prag të përvjetorit të parë të protestave të "Marshit të Madh të Kthimit", ushtarët dhe tanket izraelitë janë vendosur në afërsi të gardhit që ndan territoret e pushtuara nga Rripi i rrethuar i Gazës.
Përforcimet u vendosën të premten në mëngjes, pasi banorët e Gazës planifikuan të zhvillojnë një protestë masive të shtunën për të përkujtuar përvjetorin e parë të demonstratave të kthimit, gjatë të cilave ushtarët izraelitë kanë vrarë mbi 260 palestinezë. Ndërkohë, lëvizja palestineze e rezistencës islamike Hamas mbështeti një propozim egjiptian për të nxitur qetësinë përgjatë kufirit përpara protestave të planifikuara, thanë të premten zyrtarë të Hamasit. Zyrtarët thanë se një delegacion i zyrtarëve egjiptianë kishte zhvilluar bisedime me Hamasin dhe fraksione të tjera në Gaza, në takimet që vazhduan deri në orët e hershme të premten. Një zyrtar i Hamasit i cili mori pjesë në takimet tha se lëvizja e rezistencës kishte mbështetur një propozim egjiptian që parashikon që demonstruesit të qëndrojnë disa qindra metra nga gardhi që ndan Rripin e Gazës me territoret e pushtuara. Në këmbim, tha ai, "egjiptianët na njoftuan se izraelitët premtuan të lehtësojnë masat e tyre kufizuese". Izraeli thuhet se u zotua që të mos hapë zjarr mbi protestuesit, nëse ata nuk i afrohen gardhit rrethues dhe do të lejonte Katarin që të rriste sasinë e ndihmës së tij për Gazën, ndër masat e tjera. Një zyrtar i dytë i Hamasit e konfirmoi këtë raport. Protestuesit e marshit të Kthimit të Madh pretendojnë të drejtën e kthimit për ata që janë dëbuar nga toka e tyre stërgjyshore si pasojë e agresionit izraelit. Këtë të premte, më 29 mars, 10 palestinezë u plagosën nga zjarri i drejtpërdrejtë i ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, në prag të Ditës së Tokës. Disa të tjerë janë asfiksuar pas thithjes së gazit toksik. Që nga 30 mars 2018, palestinezët mblidhen çdo të premte në Rripin e Gazës për të marrë pjesë në marshin e Kthimit të Madh. Deri tani, 266 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 30,000 janë plagosur nga plumbat e forcave pushtuese izraelite. Një mision faktmbledhës i Kombeve të Bashkuara (OKB) zbuloi se forcat izraelite kryen krime kundër protestuesve palestinezë në Gaza, që mund të përbëjnë krime lufte.