Krimet e Arabisë Saudite kundër Jemenit, mbi 300 spitale të shkatërruar
Ministri i Shëndetësisë së Jemenit pas përhapjes së sëmundjeve të rrezikshme në këtë vend si pasojë e agresionit ushtarak saudit-amerikan, ka deklaruar se ky koalicion gjatë viteve të luftës ka shkatërruar mbi 300 spitale dhe qendra shëndetësore në Jemen.
Faqja informative Al Ahd njoftoi se Taha Al-Mutevakel, ministri i shëndetësisë së Jemenit, dje ka deklaruar se koalicioni agresor saudit-amerikan në kuadër të agresionit dhe shkatërrimeve të veta kundër Jemenit, ka goditur dhe sulmuar në mënyrë të vazhdueshme sektorin e shëndetësisë së këtij vendi.
Taha Al-Mutevakel gjatë një takimi me personelin mjekësor të provincës Haxhe, ka thënë: "Rezultatet e hulumtimeve dhe raportet e spitaleve shtetërore dhe qendrave shëndetësore private tregojnë se koalicioni agresor i Arabisë Saudite ka sulmuar mbi 300 spitale dhe qendra shëndetësore në Jemen. Armiku gjatë këtyre viteve ka sulmuar edhe me qindra makina të ambulancave ku si pasojë janë vrarë dhe plagosur me dhjetëra anëtar të ekipeve të emergjencës. Gjithashtu zbrazja e vendit nga personeli mjekësor me eksperiencë dhe largimi i mjekëve drejt vendeve të tjera, i ka dhënë një goditje të madhe sektorit mjekësor të Jemenit. Mjekët të cilët akoma po shërbejnë në vendin e vet, kanë vërtetuar për popullin e tyre se besojnë në të drejtat e Jemenit dhe ne mirëpresim dhe vlerësojmë lartë këtë veprim".
Taha Al-Mutevakel në vazhdim vuri në dukje se me fillimin e përhapjes së virusit Korona në Jemen, koalicioni agresor saudit nëpërmjet përhapjes së spekulimeve dhe informacioneve të pavërteta, po mundohet të ulë besimin e qytetarëve te mjekët dhe Ministria e Shëndetësisë së Jemenit. Ai shtoi: "Sulmet kundër sektorit mjekësor janë një veprim i qëllimtë që bëhet për të ushtruar ndikim negativ mbi gjendjen e qytetarëve jemenas. Aktualisht gjendja në rajonet që po mbahen të pushtuara nga koalicioni agresor saudit, është shumë kritike. E ashtuquajtura "Ura Mjekësore" të cilën e ka krijuar OKB për kurimin e pacientëve jemenas, në realitet është një gënjeshtër e madhe sepse deri më tani vetëm 50 pacientë jemenas janë transferuar jashtë vendit për kurim mjekësor, ndërkohë që kemi me mijëra dosje mjekësore shumë të vështira të cilat kemi nevojë urgjente që t'i dërgojmë jashtë vendit për kurim".