Në Armeni kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit
Mijëra protestues u mblodhën në Jerevan të Armenisë, ku sërish kërkuan që kryeministri, Nikol Pashinian të japë dorëheqje lidhur me marrëveshjen kundërthënëse të armëpushimit me Azerbajxhanin, që i dha fund luftimeve në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.
Protestuesit në Sheshin e Lirisë në Jerevan brohoritën “Nikol tradhtari” dhe “Armenia pa Nikolën” dhe valëvitën flamurin e Armenisë dhe të Nagorni Krabakut. Më 10 nëntor, Pashinian njoftoi për marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Moska, që i dha fund luftimeve për më shumë se gjashtë javë në rajonin e kontestuar të Nagorni Karabakut. Në këto luftime, mijëra persona u vranë. Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani mori nën kontroll pjesë të Nagorni Karabakut dhe territorit përreth. Kjo marrëveshje po shihet si mposhtje për forcat etnike armene që mbështeten nga Jerevani, e të cilat kanë kontrolluar Nagorni Karabakut prej vitit 1994, kur një marrëveshje armëpushimi i kishte dhënë fund luftimeve. Gjatë një fjalimi drejtuar kombit më 12 nëntor, Pashinian e pranoi se dokumenti që ka nënshkruar “është i keq për ne”, por tha se ky ishte opsioni i vetëm për Armeninë dhe që siguron mbijetesën e Karabakut. Javëve të fundit, mijëra qytetarë kanë protestuar në Jerevan duke kërkuar dorëheqjen e Pashinianit, por kryeministri nuk ka dhënë asnjë indikacion se do të largohet nga pushteti