Lavrov: Do t’i kundërpërgjigjemi Amerikës
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se Rusia do t'i përgjigjet vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të sanksionuar kompanitë ruse.
Lavrov dhe Ministri i Jashtëm i Katarit, Muhammed Bin Abdurrahman Al Thani dhanë një konferencë shtypi pas takimit të tyre në kryeqytetin Moskë. Duke vlerësuar vendimin e Amerikës për të vendosur sanksione ndaj disa kompanive dhe qytetarëve rusë, Lavrov tha: "Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndjekur një politikë armiqësore ndaj vendit tonë për një kohë të gjatë. Kësaj do t'i kundërpërgjigjemi". Ai shtoi se Amerika shkel normat e së drejtës ndërkombëtare me sanksione dhe shtoi: "Këto hapa tregojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë t'u imponojnë rregullat e tyre të tjerëve". Kurse në lidhje me çështjen e Palestinës, Lavrov tha: “Nëse Izraeli normalizon marrëdhëniet e tij me disa vende arabe, çështja palestineze nuk duhet të jetë dytësore dhe duhet të zgjidhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar, rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe nismën Arabe." Duke theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve të nevojshme për një proces të qëndrueshëm politik në zgjidhjen e çështjes libiane, Lavrov deklaroi se Përfaqësuesi Special i Kombeve të Bashkuara (KB) për Libinë nuk ishte emëruar për një kohë të gjatë dhe ata ishin të shqetësuar për këtë. Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Al Thani tha se siguria në rajon është një përparësi për vendin e tij. Duke deklaruar se ata janë të interesuar të vendosin dialog me të gjitha vendet në rajon, duke përfshirë edhe Iranin, Al Thani, u shpreh duke thënë: "Katari mirëpret çdo përpjekje për të arritur stabilitetin."