Organizatat Humanitare paralajmërojnë se refugjatët në Greqi janë lënë pabukë
(last modified Tue, 19 Oct 2021 14:37:27 GMT )
Tetor 19, 2021 16:37 Europe/Tirane
  • Organizatat Humanitare paralajmërojnë se refugjatët në Greqi janë lënë pabukë

26 organizata joqeveritare humanitare me anë të një deklarate kanë akuzuar autoritetet e Greqisë për arsye se kanë lënë një numër të konsiderueshëm të refugjatëve në kampe pa pasur qasje në ndihmat humanitare si ushqimet etj..

Organizatat për të drejtat e njeriut të hënën (18 tetor) akuzuan autoritetet greke për mungesë të furnizimit me ushqim të refugjatëve dhe azilkërkuesve dhe politika të ashpra ndaj tyre.

"Megjithëse praktikat ndryshojnë nga rajoni në rajon, vlerësohet afërsisht se 60 për qind e njerëzve që jetojnë në kampe nuk marrin ushqim", thanë njëzet e gjashtë organizatat, përfshirë Këshillin Grek të Refugjatëve dhe Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit.

"Midis atyre që kanë mbetur të uritur, 25 për qind janë gra (përfshirë gratë shtatzëna), 40 për qind janë fëmijë, pacientë kronikë dhe pacientë me kushte të veçanta mjekësore dhe ushqyese. Në disa vende, ushqimi nuk u sigurohet edhe atyre që janë vënë në karantinë për shkak të COVID-19 ", shtuan organizatat.

Duke iu përgjigjur pretendimeve, ministria e Migracionit e Greqisë tha se "të gjithë azilkërkuesit në kampet në ishuj dhe kontinent kanë të drejtë për ushqim" dhe furnizohen me tre vakte në ditë.

Por, autoritetet greke thanë se furnizimi nuk përfshin refugjatët që "duhet të largohen" nga kampet, ndërsa migrantët, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar "janë të detyruar të largohen nga vendi".

Ministria shtoi se refugjatët "kanë të drejtë të punojnë dhe mund të aplikojnë për shtesa për mbështetje të mëtejshme", përfshirë një program integrimi të financuar nga Bashkimi Evropian.

Tags