Hungaria i thotë 'jo' Ukrainës
https://parstoday.ir/sq/news/world-i124506-hungaria_i_thotë_'jo'_ukrainës
Kryeministri hungarez Viktor Orban refuzoi kërkesat e Zelenskyt duke thënë: "Hungaria dëshiron të qëndrojë jashtë kësaj lufte".
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 27, 2022 16:23 Europe/Tirane
  • Hungaria i thotë 'jo' Ukrainës

Kryeministri hungarez Viktor Orban refuzoi kërkesat e Zelenskyt duke thënë: "Hungaria dëshiron të qëndrojë jashtë kësaj lufte".

Përballë ofensivës ruse të nisur që nga 24 shkurti, presidenti ukrainas i bëri thirrje Budapestit të zgjedhë "kampin e tij" dhe t'i dorëzojë armë Kievit. Kryeministri hungarez nuk ka ndërmend ta ndihmojë atë, duke pohuar interesat e vendit të tij. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i shënjestruar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një mesazh drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian, më 25 mars “refuzoi” kërkesat për dërgesa armësh dhe sanksione më të ashpra kundër Rusisë, duke i konsideruar ato “në kundërshtim me interesat” e vendit të tij. "Hungaria dëshiron të qëndrojë jashtë kësaj lufte dhe nuk do të autorizojë transferimin e armëve në Ukrainë," ripohoi kreu konservator i qeverisë, sipas komenteve të raportuara nga zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs. Që nga fillimi i operacionit ushtarak rus në Ukrainë, Budapesti, ndërsa mirëpret refugjatët, refuzon të dërgojë ndihmë ushtarake dhe ka ndaluar transferimin e armëve vdekjeprurëse në Ukrainë përmes territorit të tij. Zelensky i kërkon Orbanit të zgjedhë "kampin" e tij: "Dëgjo, Viktor, a e di se çfarë po ndodh në Mariupol?, i tha Volodymyr Zelensky liderit sovranist të Hungarisë, një vend që ka mbajtur marrëdhënie të mira me Moskën në vitet e fundit, ndërkohë që është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. “Duhet të vendosni një herë e mirë se në cilën anë jeni”, shtoi ai në një video-telefonatë të transmetuar në mbrëmjen e 24 marsit gjatë një samiti të 27 vendeve anëtare të BE-së në Bruksel. Presidenti ukrainas i bëri thirrje gjithashtu Hungarisë, shumë e varur nga burimet energjetike ruse sipas AFP, të ndërpresë të gjitha tregtitë me Moskën. “Mbyllja e rubinetave të naftës dhe gazit do të ishte e barabartë me detyrimin e familjeve hungareze të paguajnë çmimin e luftës”, ka reaguar zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs. “Nuk mund ta përballojmë”, tha ai, teksa Viktor Orban përgatitet për zgjedhjet e 3 prillit. Udhëheqësi i opozitës hungareze Peter Marki-Zay tha se fjalimi i Volodymyr Zelensky tregon 'izolimin' e Viktor Orban, i parë 'si aleati i fundit i Putinit në BE dhe NATO'. Në fillim të kësaj jave, zëvendëskryeministrja ukrainase Irina Vereshchuk akuzoi Hungarinë se "ëndërron fshehurazi" aneksimin e rajonit Transcarpathia, një rajon në Ukrainën perëndimore ku jeton një komunitet i madh hungarez-folës. Ambasada hungareze në Kiev denoncoi të tilla deklarata si "akuza të pabaza dhe shpifje". I shkëputur gjeografikisht nga pjesa tjetër e vendit nga pjesa lindore e Karpateve, ky territor ishte nën kontrollin e Budapestit deri në Luftën e Parë Botërore. I hedhur në short mes shteteve, ky rajon përfundimisht u bashkua me Ukrainën dhe u bë i pavarur në 1991 duke helmuar kështu marrëdhëniet Budapest-Kiev. Qëndrimi i Hungarisë tregon se ky vend nuk dëshiron të humbasë favoret energjitike të Moskës dhe të bëhet pjesë e një konflikti në të cilin nuk ka asnjë rol.