Rritet frikshëm pabarazia në botë
Miliarderët e botës e kanë rritur pasurinë e tyre me triliona dollarë, që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, ndërsa vendet më të varfëra po luftojnë me rritjen e çmimeve të mallrave dhe rritjen e borxhit.
Këto janë gjetjet e një studimi të sapo publikuar nga organizata bamirëse Oxfam. Ndërsa elita globale e biznesit është mbledhur në vendpushimin malor zviceran të Davosit për Forumin Ekonomik Botëror, Oxfam thotë se ata kanë arsye për të festuar. Një studim i kësaj orgranizate bamirëse tregon se pasuria e 2668 miliarderëve në botë është rritur me 3.78 trilionë dollarë që nga viti 2020. Sipas organizatës Oxfam, 573 miliarderë të rinj janë krijuar që nga viti 2020. Dhjetë njerëzit më të pasur në botë, tani zotërojnë më shumë pasuri se 40 përqindëshi më i varfër i njerëzimit, ose 3.1 miliardë banorë. Ndërsa pasuria e miliarderëve është rritur, në dy vitet e fundit ka patur një përkeqësim të gjendjes së të varfërve, duke vënë në rrezik përparimin e arritur në dekadat e fundit në luftën kundër varfërisë.