Guvernatori kërkon largimin e popullsisë nga qyteti Soliansk
Guvernatori lokal i rajonit të Donetskut në Ukrainën lindore u ka bërë thirrje civilëve që të evakuojnë urgjentisht qytetin e Slovianskut, ndërsa forcat ruse po bëjnë përpjekje për të kapur të gjithë Donbasin.
Pavlo Kyrylenko bëri thirrje për një evakuim masiv, një ditë pasi Rusia njoftoi se i gjithë rajoni fqinj i Luhansk ishte "çliruar" nga forcat ruse dhe ukrainasit separatistë. "Fati i të gjithë vendit do të vendoset nga rajoni i Donetskut," tha Kyrylenko, duke shtuar: "Sapo të ketë më pak njerëz, ne do të jemi në gjendje të përqendrohemi më shumë te armiku ynë dhe të kryejmë detyrat tona kryesore." Ai tha se Sloviansk i ishte nënshtruar bombardimeve "masive" ruse ditët e fundit, duke thënë se më shumë njerëz po largoheshin nga qyteti për të shpëtuar jetën e tyre. "Këtë javë nuk ka pasur një ditë pa granatime," tha Kyrylenko, duke shtuar se qyteti tani ishte brenda rrezes së raketave ruse. Ai i përshkroi granatimet ruse si "shumë kaotike" dhe pa "një objektiv specifik", duke theksuar se "këshilla e tij kryesore është: evakuoni!" Qytetet lindore të Ukrainës Bakhmut dhe Sloviansk ndodhen në jugperëndim të Lysychansk dhe janë zonat kryesore urbane që qëndrojnë kundër forcave ruse në Donetsk. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se ai po vazhdonte të ushtronte presion për të marrë sisteme të avancuara anti-raketë pasi alarmet e sirenave ajrore u dëgjuan në pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Kiev. "Ushtria ruse nuk po bën asnjë pushim," tha ai. "Detyra jonë është të rezistojmë."