Britania fillon trajnimin e ushtarëve ukrainas
Grupi i parë i ushtarëve ukrainas ka nisur një program të ri trajnimi në Mbretërinë e Bashkuar për të ndihmuar në luftën kundër trupave ruse.
Deri në 10 mijë ushtarë do të trajnohen në pikat e ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë (MoD) në të gjithë vendin gjatë muajve të ardhshëm. Programi do t’u japë rekrutëve vullnetarë aftësitë e nevojshme për të luftuar në vijën e parë, tha ministria britanike e Mbrojtjes. Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se kjo ishte “faza tjetër” në mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për forcat e armatosura ukrainase. “Duke përdorur ekspertizën e klasit botëror të Ushtrisë Britanike, ne do të ndihmojmë Ukrainën të rindërtojë forcat e saj dhe të rrisë rezistencën e saj ndërsa mbrojnë sovranitetin e vendit të tyre dhe të drejtën e tyre për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, tha Wallace. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Shtunën, Mbretëria e Bashkuar deri më tani ka dërguar më shumë se 2.3 miliardë paund ndihmë ushtarake në Kiev, duke përfshirë më shumë se 5,000 armë anti-tank NLAW dhe sisteme raketash M270. “Me Ukrainën që humbet deri në 200 ushtarë çdo 24 orë në luftën e saj me Rusinë, aftësia për të gjeneruar fuqi ushtarake është jetike. Këto janë ‘zëvendësime të viktimave të betejës’”, citoi Sky News të thoshte një oficer i lartë britanik i paidentifikuar.