Lufthansa anulon fluturimet, u kërkon pasagjerëve të mos vijnë
Linja ajrore lidere gjermane Lufthansa është detyruar të anulojë pothuajse të gjitha fluturimet për shkak të një greve të paralajmëruar të stafit.
Kompania njoftoi se punonjësit e saj kanë paralajmëruar grevë njëditore, e cila do të zhvillohet të mërkurën, por që për shkak të pasojave që do t’i sjellë kompanisë, është e detyruar të anulojë pothuajse të gjitha nisjet nga aeroportet e Frankfurtit dhe Munichut. Gjithashtu u bë e ditur se orari i fluturimeve me shumë gjasa nuk do të normalizohet deri në fund të javës. Në total janë anuluar më shumë se 1000 fluturime, ndërsa llogaritet se janë dëmtuar rreth 134 mijë pasagjerë. Verdi, sindikata e linjës ajrore, ka thirrur rreth 20 mijë punonjës në një grevë që synon rritjen e pagave. Lufthansa tha se aeroportet kryesore në Frankfurt dhe Munich nuk do të jenë aeroportet e vetme të prekura nga greva. Linja ajrore gjithashtu pret që kjo të prekë aeroportet në Berlin, Bremen, Koln, Dusseldorf, Hamburg, Hannover dhe Stuttgart. Për shkak të grevës, kompania ajrore këshillon pasagjerët të mos vijnë në aeroport pa një biletë të blerë, pasi pothuajse asnjë sportel në terminale nuk do të jetë i hapur. Gjithashtu ajo i këshillon përdoruesit që aeroportet e përmendura të mos i përdorin si “vende për t’u lidhur me një fluturim tjetër”, sepse mund të ndodhë që të duhet të presin me ditë.