Vizita e Pelosit ndez tensionet SHBA-Kinë
Pavarësisht paralajmërimeve të ashpra nga Kina dhe mes tensioneve në rritje midis dy superfuqive të botës, ligjvënësja më e lartë amerikane mbërriti në Tajvan të martën.
Pak para uljes së Pelosit në Taipei, mediat kineze njoftuan se avionët luftarakë të avancuar Su-35 po lëviznin drejt ishullit. Megjithatë, destinacioni dhe misioni i saktë i avionëve nuk u njoftua. "Shkelja e besimit të SHBA-së në çështjen e Tajvanit është e neveritshme," tha ministri i jashtëm kinez Wang Yi në komentet e publikuara në faqen e internetit të ministrisë së tij më herët të martën. “Pala amerikane do të marrë përgjegjësinë dhe do të paguajë çmimin për minimin e interesave të sigurisë sovrane të Kinës”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying. Në një telefonatë me presidentin amerikan Joe Biden javën e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi gjithashtu Shtetet e Bashkuara se po "luajnë me zjarrin" në Tajvan. Në lidhje me vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, reagoi qartësisht edhe qeveria ruse. Kremlini akuzoi SHBA-në për destabilizim mbarëbotëror. “Uashingtoni po destabilizon botën. Dhe në dekadat e fundit nuk është zgjidhur asnjë konflikt i vetëm, por janë provokuar shumë syresh,” shkroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Moskës Maria Zakharova. Nancy Pelosi po bën udhëtimin e nivelit më të lartë në 25 vjet nga një zyrtar i qeverisë amerikane në Tajvan, një ishull vetëqeverisës që Kina e konsideron si pjesë të territorit të saj.