G7 akuzon Rusinë
Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) ka akuzuar Rusinë se po tenton të shndërrojë në armë eksportet e saj të energjisë.
G7 u zotua se do të punojë që të sigurohet që Moska të mos e “shfrytëzojë” pozicionin e saj si një prodhuese e energjisë “për të përfituar nga agresioni i saj në kurriz të vendeve të cenueshme”. Në deklaratën e G7-s të publikuar më 2 gusht u tha se Rusia me pushtimin e Ukrainës ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe se kërkoi që Moska t’i japë fund menjëherë të gjitha armiqësive. “Ne sërish dënojmë përpjekjet ruse për të shndërruar në armë eksportet e saj të energjisë dhe për të përdorur energjinë si mjet gjeopolitik. Prandaj, Rusia nuk është një furnizuese e qëndrueshme e energjisë”, u tha në deklaratën e publikuar nga Qeveria britanike. “Ne do të veprojmë në solidaritet dhe në koordinim të ngushtë për të zbutur ndikimin e ndërprerjeve të furnizimeve tek ekonomitë dhe qytetarët në mbarë botën dhe po ashtu në vendet tona, veçanërisht për të mbrojtur grupet më të cenueshme”, tha G7. Në kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore, Rusia ka ndërprerë furnizimet me energji për shtetet që i konsideron “jomiqësore”, duke rritur frikën në mesin e shteteve evropiane se nuk do të kenë mjaftueshëm furnizime për sezonin e dimrit.