Kërkesa e parë e Bashkimit Evropian për kryeministrin e ri britanik
Komisioni Evropian i kërkoi kryeministrit të ri britanik Rishi Sunak që t'i përmbahet marrëveshjes së arritur me Bashkimin Evropian të njohur si "Brexit".
Ursula von der Leyen, kryetarja e Komisionit Evropian, në një mesazh në Twitter të martën uroi Rishi Sunak për marrjen e postit të kryeministrit britanik dhe i kërkoi atij t'i përmbahet plotësisht marrëveshjes së Brexit-it. Kryetarja e Komisionit Evropian shkroi: "Në këtë kohë të vështirë për kontinentin tonë, ne llogarisim në një marrëdhënie të fortë me Mbretërinë e Bashkuar për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta, në të njëjtën kohë duke i qëndruar besnikë marrëveshjeve tona". "Ne mbetemi të vendosur të punojmë shumë dhe në mënyrë konstruktive në mbështetje të një partneriteti të tillë në respekt të plotë të marrëveshjeve, duke përfshirë përpjekjet tona për të gjetur zgjidhje të përbashkëta sipas Protokolleve për Irlandën dhe Irlandën e Veriut," tha Marus Sikovic, Komisioneri Evropian përgjegjës për marrëdhëniet me Britaninë. Vota për largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian (Brexit) në vitin 2016 shkaktoi një goditje të madhe ekonomike për Mbretërinë e Bashkuar. Rishi Sunak, ish-ministri i financave i vendit, u emërua zyrtarisht si kryeministër i ri i Britanisë të martën (25 tetor). Emërimi vjen mes krizës politike dhe trazirave ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat e detyruan ish-kryeministren Liz Truss të jepte dorëheqjen më pak se dy muaj pasi u emërua. Truss dha dorëheqjen javën e kaluar pasi shumë në Britani ishin të indinjuar nga planet e saj ekonomike.