162 të vdekur nga tërmeti në Indonezi
Sipas statistikave të fundit, numri i viktimave nga tërmeti në Indonezi është të paktën 162 persona të vdekur dhe më shumë se 700 të tjerë të plagosur.
Tërmeti kishte magnitudë 6 ballë dhe ra në ishullin indonezian Java. Sipas raportimit të “The Independent”, epiqendra e këtij tërmeti ka qenë pranë qytetit Cianjur , 75 km në juglindje të Xhakartës, kryeqytetit të Indonezisë. Në mes të pasgoditjeve të shumta, ekipet e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin viktimat nga rrënojat. Shumë nga viktimat ishin nxënës të shkollave publike që vdiqën për shkak të shembjes së tavaneve të klasave. Për momentin spitalet indoneziane janë mbushur me të lënduar nga tërmeti në Java dhe numri i të vdekurve nga ky tërmet pritet të rritet. Gjithashtu, shtëpitë e më shumë se 13,000 njerëzve u dëmtuan rëndë nga tërmeti dhe njerëzit tashmë janë akomoduar në strehimore të përkohshme. Indonezia, me një popullsi prej mbi 270 milionë banorësh, është vazhdimisht e ekspozuar ndaj tërmeteve apo shpërthimeve vullkanike për shkak të vendndodhjes së saj në "Unazën e Zjarrit" të Oqeanit Paqësor.