Rusia paralajmëron mbi pasojat e mos shitjes së naftës
(last modified Wed, 23 Nov 2022 06:14:14 GMT )
Nëntor 23, 2022 07:14 Europe/Tirane
  • Rusia paralajmëron mbi pasojat e mos shitjes së naftës

Zëvendëskryeministri rus Alexander Novak njoftoi se Moska nuk do t'u shesë naftë vendeve që ruajnë tavanin e ulët të çmimeve në tregun e naftës.

Në një deklaratë ai tha se Rusia mbetet një nga furnizuesit e besueshëm të naftës, por mbajtja e ulët e tavanit të çmimit të naftës do të reduktojë furnizimin me naftë nga ky vend. Paralajmërimi i Rusisë u është dhënë atyre vendeve që synojnë të mbajnë të ulët tavanin e çmimit të naftës në tregjet e naftës, duke pasur parasysh qasjen e Perëndimit. Para kësaj, perëndimorët, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, në raste të ndryshme, kanë shpallur kundërshtimin e tyre ndaj rritjes së çmimit të naftës ruse apo blerjes së naftës së saj me një çmim të ngjashëm me atë të vendeve të tjera dhe kanë kërkuar një tavan çmimi për naftën ruse, në mënyrë që të reduktojë ndjeshëm të ardhurat e naftës së Moskës. Krerët e vendeve të grupit 7 (Britania, Gjermania, Italia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Japonia) në takimin e qershorit 2022 theksuan vendosmërinë e tyre për të reduktuar varësinë nga energjia ruse dhe njoftuan marrëveshjen e tyre në parim për vendosjen e një tavani për çmimin e naftës dhe gazit rus. Në fillim të shtatorit 2022, Grupi 7 ra dakord të vendoste një tavan çmimi për eksportet ruse të naftës në mënyrë që të reduktonte të ardhurat e Moskës. Ministrat e ekonomisë të Grupit 7 njoftuan se këto vende do të ndalojnë ofrimin e shërbimeve që mundësojnë transportin detar të naftës bruto ruse dhe produkteve të naftës në nivel global, nëse çmimi i naftës ruse është më i lartë se tavani i përcaktuar. Ky vendim mund ta bëjë të pamundur mbulimin e sigurimit ose financimin e dërgesave ruse të naftës.  Me këtë veprim, vendet në nevojë do të mund të blejnë naftën ruse, por me një çmim të ulët dhe vetëm deri në kufirin që përcakton koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Grupi G7. Cisternat e naftës dhe kompanitë e sigurimeve lejohen të ofrojnë shërbime  për Rusinë  vetëm nëse çmimi i naftës është në tavanin maksimal të vendosur nga koalicioni i lartpërmendur.  Kështu, Grupi 7 theksoi vendosmërinë e tij për të kufizuar çmimin e naftës ruse si pjesë e zgjerimit të sanksioneve kundër këtij vendi. Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, në përgjigje të veprimit të Grupit 7, paralajmëroi se Rusia nuk do t'ua shesë naftën e saj vendeve që vendosin një tavan çmimi. Peskov  ka thënë: Ky veprim do të prishë tregun e naftës dhe qytetarët evropianë më në fund do të duhet të paguajnë më shumë për naftën. Në përputhje me sanksionet energjetike të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, tavani i çmimit të naftës supozohej të zbatohej nga 5 dhjetori 2022 dhe çmimi i produkteve të naftës nga 5 shkurti 2023; Por në shtator 2022, vendet e Bashkimit Evropian nuk mundën të bien dakord për përcaktimin e tavanit të çmimit të gazit rus. Më herët, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se vendosja e tavanit të çmimit për eksportet e gazit nga Rusia nuk është e drejtë dhe është një hap që do të çojë në rritjen e çmimit të tij në tregje globale. Ministri rus i Energjisë, Nikolai Shulginov hodhi poshtë çështjen se Moska do të pranojë kërkesën e vendeve perëndimore për të kufizuar çmimin e burimeve ruse të energjisë dhe theksoi se Moska nuk shet naftë dhe gaz me humbje ose nën çmimin e saj. "Sigurisht, që ne nuk do të shesim (naftën dhe gazin) me humbje ose nën kosto. Është e pamundur. Ky është një lloj konspiracioni karteli kundër nesh. Ne kurrë nuk do t’ia lejojmë vetes të trajtohemi në këtë mënyrë, tha Shulginov.  Tani, me paralajmërimin e zëvendëskryeministrit të Rusisë për mos shitjen e naftës vendeve që synojnë të mbajnë çmimin e ulët të naftës, Moska ka hyrë në fushën e reagimit praktik ndaj veprimeve armiqësore të Perëndimit. Në të njëjtën kohë, Rusia në kërkim të tregjeve të reja për naftën dhe gazin e saj, po përpiqet të zëvendësojë vendet evropiane, të cilat më parë kanë qenë klientët kryesorë të naftës dhe gazit rus.  Statistikat në këtë fushë tregojnë një rritje të ndjeshme të eksporteve të energjisë drejt rajoneve dhe vendeve të tjera, veçanërisht Kinës. Në këtë kuadër, duhet përmendur rritja e eksportit me 10 milionë fuçi naftë ruse drejt Kinës në 6-mujorin e parë të vitit 2022. Përveç kësaj, Rusia synon të rrisë ndjeshëm eksportet e saj të energjisë në Indi. Të gjitha këto raste tregojnë se përpjekjet perëndimore për të  dëmtuar ekonominë ruse në masë të madhe kanë dështuar.

 

 


 

Tags