Kina akuzon grupin G7 për “shpifje dashakeqe”
Pas kritikave të grupit G7 ndaj Kinës, Pekini i akuzoi këto vende për “shpifje me qëllim të keq”.
Ata duhet të “heqin dorë nga të menduarit si në Luftën e Ftohtë” dhe të mos ua “diktojnë me përbuzje sjelljen e tyre shteteve të tjera” tha Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze. Kina reagoi me kritika të forta ndaj vendimeve të marra në takimin e ministrave të jashtëm të grupit G7 në Japoni. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin, tha në një konferencë për shtyp në Pekin se vendet e G7-ës “kishin ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe kishin shpifur dhe denigruar kinezët me keqdashje”. “Deklaratat ishin plot arrogancë, paragjykime dhe qëllime për të shtypur kinezët”. Sipas tij, Tajvani është “pjesë e pandashme” e Republikës Popullore të Kinës. Për të arritur vërtet paqen në ngushticën e Tajvanit, është e nevojshme të refuzohen aspiratat e informacionit në ishull, shtoi Wang Wenbin. Kina e respekton Kartën e OKB-së dhe normat bazë të së drejtës ndërkombëtare, tha ai. Vendet e G7-ës duhet të “heqin dorë nga të menduarit si gjatë Luftës së Ftohtë dhe nga paragjykimet ideologjike”, tha Wang. Ata as nuk duhet t’ua “diktojnë sjelljen e tyre vendeve të tjera”. Lidhur me shqetësimet e G7 për zgjerimin e arsenalit bërthamor të Kinës, Wang tha se Kina posedon vetëm një “numër minimal armësh bërthamore të nevojshme për sigurinë kombëtare”. Kina është e vetmja fuqi bërthamore, që është zotuar të mos jetë e para që do të përdorë armët bërthamore. SHBA kanë arsenal shumë më të madh, tha zëdhënësi kinez.