Trazira në Armeni, demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit
(last modified Wed, 20 Sep 2023 18:55:12 GMT )
Shtator 20, 2023 20:55 Europe/Tirane
  • Trazira në Armeni, demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Demonstruesit në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, të cilët i bënë thirrje kryeministrit Nikol Pashinyan të jepte dorëheqjen, u përleshën me policinë. disa nga protestuesit tentuan të çajnë kordonin e policisë dhe të arrijnë te godina ku ndodhet qeveria.

Ata hodhën shishe në dritare, por edhe në drejtim të vetë policëve. Protestuesit që bënin thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dolën në rrugë, pasi Azerbajxhani nisi të martën një operacion ushtarak në rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut. Qindra njerëz u mblodhën në Sheshin e Republikës në Jerevan përpara zyrës së kryeministrit, për të dënuar trajtimin e Pashinyanit të krizës së Karabakut. Ata kanë brohoritur slogane si “Nikol tradhtar” dhe “Nikol largohu”. Pashinyan është përballur me demonstrata kundër qeverisë së tij në Armeni, që kur Jerevani humbi pjesë të mëdha të territorit në dhe rreth Nagorno-Karabakut në një luftë të vitit 2020 me Azerbajxhanin. “Nuk është e mundur të kemi një lider që po humb territoret tona”, tha një nga protestuesit, i cili është edhe veteran i luftës.Ai shtoi se armenët tani duan të tregojnë se nuk do të braktisin njerëzit e tyre në Karabak. Protestuesit akuzojnë qeverinë se ka braktisur popullsinë kryesisht armene të Nagorno-Karabak, pasi separatistët armenë u dorëzuan te forcat e Azerbajxhanit.