Bashkimi Europian rrit përkushtimin për zgjerim
(last modified Tue, 03 Oct 2023 19:07:16 GMT )
Tetor 03, 2023 21:07 Europe/Tirane
  • Bashkimi Europian rrit përkushtimin për zgjerim

Bashkimi Evropian pritet ta rrisë përkushtimin për zgjerimin e bllokut gjatë samitit të kësaj jave në Granada të Spanjës.

BE-ja do t’i zhvillojë dy samite në Granada më 5 dhe 6 tetor, ku liderët evropianë do të bisedojnë për të ardhmen e kontinentit. Së pari, do të zhvillohet samiti i më shumë se 40 vendeve në kuadër të Bashkësisë Politike Evropiane. Më pas, do të zhvillohet edhe samiti joformal i vendeve anëtare të BE-së. Samiti do ta ketë edhe të ashtuquajturën “Deklarata e Granadës” të cilën pritet ta miratojnë liderët e BE-së. Liderët e BE-së do të theksojnë se zgjerimi “është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet në kontinent; është proces i cili do ta zvogëlojë pabarazinë mes vendeve dhe do t’i forcojë vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”. “Duke shikuar drejt një unioni më të zgjeruar, si BE-ja ashtu edhe vendet e ardhshme anëtare, duhet të bëhen gati. Vendet aspiruese duhet ta përshpejtojnë punën e tyre në reforma, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me qasjen e zgjerimit sipas parimit të meritave individuale dhe me asistencë të BE-së. Paralelisht, unionit i duhet të vendosë themelet për t’u bërë gati për zgjerim. Ne do t’i paraqesim ambiciet tona afatgjate dhe mënyrën se si t’i arrijmë ato”, thuhet në draftin e Deklaratës që liderët e vendeve të BE-së pritet ta miratojnë në Granada. Zgjerimi i fundit i BE-së ka ndodhur me 1 korrik të vitit 2013 kur Kroacia ishte bërë vendi më i ri anëtarë. Prej atëherë nuk ka pasur zgjerim ndërsa Britania e Madhe është larguar nga BE-ja duke e lënë atë përsëri me 27 vende anëtare.

 

Tags