Sulm ajror rus mbi kryeqytetin e Ukrainës
(last modified Sun, 11 Aug 2024 09:00:29 GMT )
Gusht 11, 2024 11:00 Europe/Tirane
  • Sulm ajror rus mbi kryeqytetin e Ukrainës

Burime të lajmeve raportuan në orët e para të së dielës se Rusia ka sulmuar Kievin, kryeqytetin e Ukrainës, dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për t'u kundërpërgjigjur.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar agjencinë Reuters, kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, shkroi në platformën sociale Telegram: "Njësitë e mbrojtjes ajrore sapo janë aktivizuar dhe sapo kanë rënë sirenat e sulmit ajror."

Gjithashtu, edhe administrata ushtarake e Kievit konfirmoi se në Kiev janë aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë gjithashtu se pesë zona të tjera në vend ishin në shënjestër të sulmeve me dronë.

Forcat Ajrore të Ukrainës shtuan se pas kërcënimit të një sulmi balistik rus, sirena e sulmit ajror u dëgjua në Kiev, në zonat përreth tij dhe në të gjitha pjesët lindore të vendit.

Ky sulm vjen ndërkohë që, sipas raportimeve, Ukraina ka depërtuar deri në 20 kilometra në territorin rus në rajonin Kursk dhe Rusia ka evakuuar më shumë se 76 mijë persona nga ky rajon.

Prandaj, të shtunën, Moska zbatoi një mekanizëm të gjerë sigurie në tre rajone kufitare të vendit, duke përfshirë rajonet Kursk, Bryansk dhe Belgorod, të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 92,000 kilometrash katrorë.

Të martën, më 6 gusht, rajoni Kursk ishte objektivi i një sulmi në shkallë të gjerë nga Ukraina. Sistemi rus i mbrojtjes ajrore rrëzoi 26 dronë dhe disa raketa në hapësirën ajrore të këtij rajoni. Gjatë këtij sulmi mbetën të vrarë edhe pesë persona.

Presidenti rus Vladimir Putin dënoi të mërkurën sulmin e Ukrainës ndaj infrastrukturës civile në rajonin Kursk, duke e cilësuar atë një provokim të madh.

Putin deklaroi se Ukraina po bombardon pa kriter ndërtesat civile, ndërtesat e banimit dhe ambulancat me një sërë armësh, duke përfshirë edhe raketa.

 

Tags