Zjarri në veri të Athinës shkaktoi largimin e mijëra njerëzve
(last modified Mon, 12 Aug 2024 07:31:58 GMT )
Gusht 12, 2024 09:31 Europe/Tirane
  • Zjarri në veri të Athinës shkaktoi largimin e mijëra njerëzve

Një zjarr masiv në veri të kryeqytetit të Greqisë, Athinë, ka çuar në evakuimin e shtëpive dhe zhvendosjen e menjëhershme të mijëra banorëve të zonës.

Sipas raportit të gazetës 'The Guardian': "Autoritetet greke kanë paralajmëruar njerëzit që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre me 'dritare të mbyllura', pasi më shumë se 400 zjarrfikës po luftojnë me flakët e zjarrit në periferi të Athinës, gjë që ka shkaktuar edhe evakuimin e komuniteteve të tëra, duke përfshirë zonën historike Marathon."

Re të mëdha tymi errësuan qiejt e kryeqytetit të dielën, pasi 10 ekipe të "komandove pyjorë", të mbështetur nga aeroplanë ujëspërkatës, helikopterë dhe makina zjarrfikëse, u përpoqën të shuanin flakët, të cilat ishin ndezur nga erërat e forta.

Zona historike Marathon është një nga zonat, banorët e së cilës u zhvendosën në zona të sigurta me ndihmën e ekipeve të shpëtimit.

Banorëve të zonës historike Marathon iu tha që të shkonin në qytetin bregdetar Nea Makri.

Burime qeveritare thonë se qendrat mjekësore dhe spitalet në Athinë janë vënë në gatishmëri pasditen e së dielës.

Ekspertët thonë se Greqia kohëve të fundit ka përjetuar qershorin dhe korrikun më të nxehtë në historinë e saj, nxehtësi që ka shkaktuar edhe rritjen e zjarreve në pyje.

Temperaturat në Greqi pritet të arrijnë të hënën deri në 39 gradë Celsius (102 gradë Fahrenheit), ndërsa temperaturat më të larta parashikohen në Greqinë perëndimore.

 

Tags