Guterres: Ushtria izraelite të largohet nga Libani
(last modified Sun, 19 Jan 2025 18:52:40 GMT )
Janar 19, 2025 19:52 Europe/Tirane
  • Guterres: Ushtria izraelite të largohet nga Libani

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka deklaruar se prania ushtarake e Izraelit në Libanin jugor duhet të marrë fund.

“UNIFIL (Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban) është duke punuar nga afër me forcat e armatosura libaneze në jug, me qëllim të qartë që prania izraelite në jug të përfundojë”, ka thënë ai gjatë një takimi me kryetarin e Parlamentit të Libanit, Nabih Berri.

Armëpushimi 60-ditor i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka filluar më 27 nëntor, në tentativë për të ndaluar luftën Izrael-Hezbollah që ka marrë jetën e më shumë se 4,000 njerëzve dhe ka lënduar më shumë se 16,000 të tjerë në Liban.

Liderët libanezë kanë kërkuar ndihmë nga sekretari i OKB-së për kthimin e refugjatëve sirianë në vendin e tyre pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit.

Libani ka popullsi prej rreth 6 milionë banorësh. Aty strehohen 780,000 refugjatë sirianë të regjistruar dhe qindra mijëra të tjerë të paregjistruar. Kjo e bën Libanin vendin me numrin më të madh të refugjatëve për banorë në botë.