Europa në javën që kaloi...85
https://parstoday.ir/sq/news/world-i38890-europa_në_javën_që_kaloi...85
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin kushtuar ngjarjeve më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 17, 2016 22:38 Europe/Tirane
  • Europa në javën që kaloi...85

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin kushtuar ngjarjeve më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.

Javën e kaluar, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nxorën një rezultat të çuditshëm në Maqedoni. “VMRO-DPMNE”-ja e Nikola Gruevskit do të ketë 51 deputetë, “LSDM”-ja e Zaevit 49 të tillë, “BDI”-ja e Ali Ahmetit 10 deputetë, “Lëvizja Besa” e dyta me 5 deputetë, “Aleanca” 3 deputetë dhe “PDSH”-ja e Menduh Thaçit me 2 deputetë.Pas zgjedhjeve, shumica e politikanëve nuk duan të flasin, pasi gjithçka është e paqartë mes festimeve të të dy partive maqedonase. “Lëvizja Besa”, që për shumë njerëz ishte befasi për shkak se është e re si nismë politike, megjithatë ka marrë 5 deputetë dhe shpreson për deputetin e 6 në Kuvend. Kjo është partia e vetme që flet me dëshirë. Modeli i bashkëqeverisjes, megjithatë, në Maqedoni është i domosdoshëm, pasi partitë në pushtet mund të kenë 50 për qind plus një deputet shqiptar. Rezultati i zgjedhjeve ka lënë Maqedoninë pa një përgjigje sesi do të jetë zgjidhja e krizës së krijuar. Afër kanë dalë të gjitha partitë që duhet të zgjidhnin krizën dhe nuk dihet sesi do të jetë koalicioni qeveritar. Edhe heshtja e shqiptarëve e tregon një gjë të tillë. Partitë politike shqiptare ndodhen përpara një momenti të vështirë, një moment reflektimi para asaj që ndodhi, sepse kemi një krizë besimi tek faktori shqiptar dhe ai maqedonas, që reflektohet në përgjysmimin e partive klasike, si PDSH dhe BDI, dhe në fitoren, ndonëse jo siç pritej, të dy partive të reja që konkurruan për herë të parë. Pra, asnjëra nuk u bë përfaqësuese dominante e faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Sidoqoftë pritet që partitë shqiptare të vendosin se cila parti maqedonase do të ketë të drejtën të formojë qeverinë e re.

 

Javën e kaluar, Parlamenti grek ka miratuar me shumicën e votave të deputetëve të mazhorancës, projektbuxhetin për vitin 2017, i konsideruar nga kryeministri Tsipras si buxheti i optimizmit, pasi parashikon një rritje ekonomike prej 2.7%. “Viti 2017 do të jetë një vit historik për daljen e Greqisë nga kriza dhe ky projektbuxhet është i pari i optimizmit, i rritjes dhe i rimëkëmbjes së ekonomisë greke”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras. Seanca është përfshirë nga replika të ashpra midis kryeministrit Tsipras dhe udhëheqësit konservator Mitsotakis, i cili ka kërkuar zgjedhje të reja. “Premtuat se do të anuloni marrëveshjet e ndihmës, por keni nënshkruar dhe po zbatoni paketën e tretë të shpëtimit, një paketë tjetër shtesë, si dhe keni nënshkruar edhe marrëveshjen e katërt”, tha Kyriakos Mitsotakis, kreu i “Demokracisë së Re”. Nga ana e tij, Tsipras është përgjigjur se në zgjedhje do të shkohet në vitin 2019, duke përballuar sfidat që ka përpara. Por si një goditje e rëndë për qeverinë Tsipras konsiderohet reagimi zyrtar i zëdhënësit  të presidentit të Eurogrupit, Michel Reijns, i cili ka pohuar se institucionet europiane si KE, BQE dhe ESM kanë ngrirë përkohësisht masat afatshkurtra për reduktimin e borxhit grek, të cilat ishin aprovuar disa ditë më parë. Shkak për këtë është bërë vendimi që ka marrë një javë më parë qeveria Tsipras, për t’u dhënë në prag Krishtlindjesh një pension shtesë nga 300 deri në 850 euro 1.600.000 personave që marrin pensione të ulëta nga paratë e tepricës primare të këtij viti, vendim ky për të cilin nuk janë pyetur kreditorët. Veprimi i Tsipras ka shkaktuar në fillim reagime në Bruksel dhe më pas ministri gjerman i Financave ka deklaruar se marrëveshja për reduktimin e broxhit grek mund të funskionojë nëse të gjitha palët e respektojnë dhe nuk ndërmarrin veprime të njënashme.

 

Javën e kaluar, kryeministri i ri i Italisë Paolo Gentiloni ka prezantuar para presidentit italian Sergio Mattarella, listën e ministrave të qeverisë së tij. Qeveria e re italiane është një qeveri e mazhorancës së Partisë Demokratike e mjaft prej emrave të ministrave të sapoemëruar kanë qenë pjesë e ekzekutivit të dorëhequr të kryeministrit Renzi. Në postin e ministrit të punëve të jashtme, funksion që deri pak ditë më parë e kryente kryeministri Paolo Gentiloni, është emëruar Anxhelino Alfano, ish ministër i punëve të brendshme në qeverinë Renzi dhe lideri i Partisë Nuova Centro Destra (Qendra e Re e Djathtë). Ministër i brendshëm është emëruar Marco Minniti, ish nënsekretar në qeverinë Renzi dhe i deleguar për Shërbimet Sekrete. Qeveria “Gentiloni” mori votëbesimin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, ku pro saj votuan 368 nga ligjvënësit në sallë, ndërsa 105 ishin kundër. Për t’u ulur në detyrën e kryeministrit, Gentiloni duhet të fitojë votëbesimin në të dyja dhomat e Parlamentit. Paolo Gentiloni pritet të mbajë postin deri në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2018. Pas njoftimit, ai premtoi të lëvizë “brenda të njëjtës kornizë” si qeveria në largim e Renzit. Të gjitha partitë kryesore kanë bërë thirrje për zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundur, por propozimi është refuzuar nga kreu i shtetit. Renzi ishte kryeministër për gati 3 vite. Ai dha dorëheqjen pasi votuesit kundërshtuan një paketë që rriste pushtetin e tij, për të shtyrë reforma ekonomike që ai thoshte se do të sillnin stabilitet politik në Itali.

 

Liderët e vendeve anëtare të BE, në takimin e javës së kaluar në Bruksel, janë pajtuar për vazhdimin edhe për 6 muaj të sanksioneve kundër Rusisë. Vazhdimi i sanksioneve kundër Rusisë ka prekur sektorët e mbrojtjes, energjisë dhe financave të Rusisë. Sanksionet së pari u imponuan më 31 korrik të vitit 2014, pasi Rusia e aneksoi rajonin e Krimesë në Ukrainë dhe u ka dhënë mbështetje separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës. Nga lufta ndërmjet forcave qeveritare dhe këtyre kryengritësve janë vrarë mëse 9 mijë njerëz. Bashkimi Evropian ka njoftuar se i vazhdon sanksionet, pasi Marrëveshjet paqësore të Minskut, të cilat janë nënshkruar edhe nga Rusia, nuk do të mund të implementohen tërësisht deri në fund të vitit. Udhëheqësit e BE-së synonin të arrinin një vendim politik gjatë javës së kaluar mbi zgjatjen e sanksioneve me natyrë ekonomike ndaj Rusisë për një tjetër 6-mujorsh, pasi sanksionet aktuale të vendosura ndaj Moskës për shkak të ndërhyrjeve në Ukrainë skadojnë më 31 janarin e vitit të ardhshëm. Nga ana e tij, ambasadori rus në Bashkimin Europian, Vladimir Chizhov tha se BE-ja po zgjeron sanksionet për hir të ruajtjes së unitetit, i cili në vetvete është bërë një objektiv primar i Brukselit. “Së pari, disa vende të rëndësishme të BE-së kanë thënë se sanksionet ose duhen hequr fare, ose duhen lehtësuar, por menjëherë pas tyre, disa vende të vogla por të zhurmshme kërkuan që sanksionet të zgjateshin e madje të zgjeroheshin. Në këtë moment, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk u ngrit si arbitër dhe tha: ‘Uniteti ynë është në rrezik, kështu që le t’i lëmë kështu siç janë. A dëshiron dikush të votojë kundër?’. Një vendim i njëanshëm u mor në Bruksel”, tha Chizhov.

 

Vendet anëtare e BE-së synojnë të arrijnë marrëveshjen për një sistem të ri mbi azilkërkuesit para mesit të vitit 2017. Kjo u arrit mes vendeve anëtare të BE-së në mbledhjen e Brukselit.  “Kjo ishte hera e parë që jemi dakorduar për një datë lidhur me një marrëveshje të synuar”, deklaroi, kryeministri  suedez, Stefan Lôfven. Ai thotë se ky është një problem që Suedia e Gjermania e kanë trajtuar gjatë. Suedia ka prezantuar një ligj të rreptë, por të përkohshëm, ku parashihet zvogëlimi i numrit të azilkërkuesve. Qeveria suedeze shpreson që BE të ketë një sistem të gatshëm ku do të shpërndante azilkërkuesit në mënyrë të barabartë brenda vendeve anëtare të BE-së. Nëse vendet anëtare të BE-së arrijnë marrëveshjen mbi akte të ndryshme të që Komisioni i BE-së i ka paraqitur, ato do të zbatohen nga vendet anëtare. Por javën e kaluar, ligji i Zvicrës për frenimin e emigrantëve të paligjshëm ka ngritur shqetësimin për një tensionim të marrëdhënieve mes vendit helvet dhe Bashkimit Evropian. Debati në Zvicër në shumë mënyra pasqyron situatën në Britani, ku votuesit vendosën në qershor të largohen nga Bashkimi Evropian si një mënyrë për të kontrolluar emigracionin. Mungesa e një limiti për emigrantët në vendin me 8.3 milionë banorë, popullsia e të cilit është tashmë një e katërta e huaj, i dha shans partisë popullore zvicerane të krahut të djathtë të kërkonte një referendum në 2014. SVP, partia më e madhe, ka akuzuar partitë vendase për varësi ndaj bruskëshit dhe zbehje të sovranitetit të Zvicrës. Por në një përgjigje, pas miratimit në parlament të ligjit, Bashkimi Evropian u shpreh se ligji duket në rrugën e duhur pasi Zvicra vendosi të mos caktonte kuota për shtetasit e Bashkimit Evropian që dëshirojnë të punojnë në Zvicër. “Është e qartë që ligji nuk kërkon të imponojë kuota në qarkullimin e lirë të qytetarëve të unionit dhe nuk ndalon punësimin e tyre në Zvicër, në kundërshti me sa shkruhej në draftin fillestar “, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian Margaritis Schinas. Ai tha gjithashtu se Bashkimi Evropian synon të diskutojë me Zvicrën rreth aplikimit të këtij ligji dhe do të vazhdojë të analizojë situatën duke u konsultuar me 28 vendet anëtare të Unionit. Presidenti i komisionit Europian Jean Claude-Juncker do të bisedojë me presidentin e Zvicrës për të shkëmbyer pikëpamjet fillestare dhe për të diskutuar rreth hapave të mëtejshëm. Një mbledhje e përbashkët mes BE dhe Zvicrës është planifikuar të zhvillohet më 22 dhjetor.

 

Javën e kaluar, kompania më e madhe e linjave ajrore të Gjermanisë ka deklaruar se për shkak të grevave gjashtë ditore të pilotëve në muajin e fundit, është shkaktuar një dëm 100 milionë euro për këtë kompani. Kompania Lufthansa e Gjermanisë me anë të një deklarate, ka theksuar se për shkak të grevës së pilotëve, kjo kompani është detyruar të anulojë 4500 fluturime duke ushtruar ndikim negativ për më shumë se gjysmë milioni udhëtarësh. Kompania Lufthansa gjithashtu ka deklaruar se greva e fundit e pilotëve ka qenë vetëm në interes të kompanive të linjave ajrore të Zvicrës dhe të Austrisë të cilat kanë përdorur avionë më të mëdhenj në fluturimet e tyre në Gjermani.  Sindikata e pilotëve ka deklaruar se negociatat në lidhje me rrogat me kompaninë Lufthansa do të rifillojnë gjatë disa ditëve të ardhshme dhe do ta ndërprenë grevën deri në fund të negociatave. Pilotët e kompanisë Lufthansa ankohen për arsye se gjatë pesë viteve të fundit me gjithë fitimet e kompanisë, nuk kanë patur rritje të rrogës.  Kompania Lufthansa ka filluar veprimtarinë e saj 65 vite më parë nga qyteti Koln i Gjermanisë dhe aktualisht konsiderohet kompania më e madhe e botës në bazë të nivelit të të ardhurave.