Veprimet anti-njerëzore të Evropës kundrejt çështjes së emigrantëve
Vendet evropiane vazhdojnë të marrin masa për të parandaluar futjen e emigrantëve, si dhe për largimin e tyre nga kufijtë evropianë.
Në vazhdën e akteve anti-njerëzore të evropianëve kundrejt çështjes së emigrantëve, qeveria angleze ka refuzuar të pranojë strehimin e 2 mijë fëmijëve emigrantë pas mbylljes së kampit Kale në Francë. Nga ana tjetër qeveria gjermane deklaroi se më shumë se 3 mijë afganë të cilët nuk kanë arritur të plotësojnë kushtet për azil në Gjermani janë kthyer në vendin e tyre. Edhe Suedia, tek e cila kanë shkuar një numër i madh emigrantësh afganë, ka vendosur avionë specialë për kthimin e tyre në kabull. Përveç masave të rrepta që janë vendosur nga vendet evropiane kundrejt futjes së emigrantëve, parlamenti i Zvicrës ka miratuar një ligj të ri që kufizon akoma më shumë futjen e emigrantëve në këtë vend. Shumica e vendeve anëtare të BE kanë pezulluar procesin e ndarjes proporcionale të emigrantëve dhe kanë ndërprerë bashkëpunimin e tyre me komisariatin e lartë të emigracionit pranë OKB. Disa vende evropiane si Gjermania në kohën nisjes së krizës në Lindjen e Mesme dhe pas luftërave në Irak dhe në Siri, kanë hedhur sloganin e mbështetjes së të drejtave të njeriut dhe kanë pranuar shumë emigrantë. Mirëpo tani këto vendi kanë ndërmarrë politika të rrepta kundrejt emigrantëve. Shumë prej vendeve evropiane kanë mbyllur kufijtë e tyre për të penguar futjen e emigrantëve. Ditë më parë autoritetet kroate ndaluan një kamion të mbushur me 67 emigrantë, pjesa më e madhe e të cilëve u dërguan me urgjencë në spital pasi u gjetën thuajse të asfiksuar ndërkohë që u arrestuan edhe dy qytetarë bullgarë të dyshuar për trafik njerëzor. Ministri i brendshëm kroat, Vlaho Orepiç, tha se ishte evituar një tragjedi e ngjashme me atë të Austrisë, vitin e kaluar, falë ndërhyrjes në kohën e duhur. "Falë zotit reaguam në kohë. 35 persona janë shtruar në spital për shkak të mungesës së oksigjenit, një pjesë e tyre në gjendje asfiksie. Policia në mënyrë urgjente kërkoi ndihmën mjekësore dhe këta njerëz u ndihmuan. Pas kurimit, ata do të kthehen nga kanë ardhur". Kamioni, me targa britanike, u ndalua gjatë një kontrolli rutinë të policisë. 42 emigrantë u dërguan menjëherë në spital, disa u trajtuan për helmim me monoksid karboni. Sipas ministrit kroat të shëndetësisë, mes të kuruarve në spital ishin dy djem të moshave 10 deri në 12 vjeç, ndërsa personat e tjerë ishin mes 15-20 vjeç. Zyrtarët thanë se ata ishin gjetur në kushte të rënda, të dehidratuar dhe të paushqyer për ndoshta pesë ditë. Rreth 650 mijë vetë kaluan nëpërmjet Kroacisë nga shtatori 2015 deri në mars të këtij viti, nëpër të ashtuquajturën trajektore ballkanike, të shfrytëzuar nga emigrantët që vinin kryesisht nga Siria dhe i drejtoheshin Evropës perëndimore, veçanërisht Gjermanisë. Trajektorja u mbyll në mars, pasi një numër vendesh të BE vendosën të blindonin kufijtë. Shumë emigrantë i janë drejtuar trafikantëve për t’i ndihmuar që të kalojnë ilegalisht kufijtë. Policia austriake gjeti 71 emigrantë të vdekur, të mbyllur në një kamion frigoriferik në gusht të 2015 dhe shumë zyrtarë druajnë një tjetër katastrofë të ngjashme.