Europa e kërcënuar nga nacionalizmi
“Bota e vjetër e shekullit të 20-të ka marrë fund pa kthim”-deklaroi javën e kaluar Frank-Walter Steinmeier, ende ministër i Jashtëm dhe së shpejti kreu i shtetit gjerman nuk është një nga ata që gabon kollaj, e megjithatë ai i përmblodhi kështu zhvillimet aktuale.
E pikërisht, Marine Le Pen, kryetarja e Front National i jep atij të drejtë. “Po përjetojmë aktualisht fundin e një bote dhe lindjen e një të reje", tha ajo sot në Koblenc të Gjermanisë, ku u mblodhën 800 të ftuar, populistë të djathtë nga e gjithë Europa. Aktualisht, Europa ndjehet e rrezikuar. Brexit është realitet. Trump po ashtu. Në Europën perëndimore po ndodh një metamorfozë politike. Populizmi është në modë. Asgjë nuk duket se do të jetë si më parë. Së shpejti votohet në vende të tjera të rëndësishme: Franca, Spanja, Gjermania. Duket sikur zotëron tallja me çdo gjë që mësoi bota perëndimore pas Luftës së II Botërore. Politika e aleancave, parimi i solidaritetit, ndihma ekonomike. Sigurisht vota e Brexit ishte fitore e ngushtë, më shumë të mobilizuar ishin kundërshtarët e Brexit, të tjerët qëndruan në shtëpi, duke menduar, se do të mjaftojë edhe pa mua, ndoshta është menduar. Edhe Trump përfitoi nga sistemi amerikan i votimit, ndërkohë që në bazë të numrit absolut të votave ai përfaqëson më pak se gjysmën e amerikanëve. AfD në Gjermani dhe Front National janë ende në opozitë. Por ajo që e bën mjaft të rrezikshme zhvendosjen në skaj djathtas të politikës, ndryshimin e normave dhe atmosferën shoqërore në SHBA dhe Europë është urrejtja e hapur ose e nënkuptuar e populistëve ndaj shtetit, demokracisë dhe elitave shoqërore, multinacionalitetit dhe mediave. Sidoqoftë, boshti franko-gjerman rishfaqet sërish me apelin e përbashkët të kancelares Angela Merkel dhe presidentit Francois Hollande për unitet përballë kërcënimeve në rritje, si populizmi që po merr hov anekënd Europës, apo sinjalet amerikane të braktisjes së tregtisë së lirë. Merkel duket e shqetësuar sidomos nga zhvillimet e fundit në Shtetet e Bashkuara.“Europa përballet me sfida të mëdha të brendshme e të jashtme, të cilat mund të menaxhohen vetëm duke punuar së bashku. Na nevojitet një angazhim i qartë dhe i përbashkët i bllokut europian për të mbrojtur ato që kemi arritur deri tani, për të ruajtur vlerat e demokracive tona”, deklaroi Merkel. Ndërsa presidenti francez Hollande sheh dallgën e populizmit si rrezikun më të madh që i kanoset sot Bashkimit Europian. “Që të tregohem i ndershëm me ju, duhet të them se kërcënimi Europës nuk i vjen vetëm nga jashtë. Rrezikun e kemi dhe brenda radhëve tona dhe ai është rritja e ekstremizmit që përdor faktorë të jashtëm për të shkaktuar trazira të brendshme”, tha Hollande. Që nga fillimi i presidencës së tij, Trump e ka përmbushur zotimin elektoral për tërheqjen nga Partneriteti i Trans-Paqësorit, një nga prioritetet e paraardhësit të tij Barack Obama. Presidenti i ri amerikan kërkon po kështu të rinegociojë marrëveshjen e tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut, NAFTA, ndërsa pakti tregtar SHBA-BE, i përballur me pengesa që përpara largimit të Obamës, tani është krejtësisht i zhytur në pasiguri.