Trump shpreh përkrahjen për NATO-n
(last modified Mon, 06 Feb 2017 21:09:44 GMT )
Shkurt 06, 2017 22:09 Europe/Tirane
  • Trump shpreh përkrahjen për NATO-n

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kryer një bisedë telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë theksohet se Trump dhe Stoltenberg kanë biseduar për mbështetjen që Uashingtoni i ofron NATO-s dhe se çfarë mund të bëjnë që anëtarët e tjerë të Aleancës t’i përmbahen angazhimeve për shpenzimet e mbrojtjes. Në deklaratë ndër të tjera theksohet se “Gjithashtu palët kanë biseduar për potencialin e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin në kufi të Ukrainës. Janë dakorduar për vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe kontakteve të ngushta për të gjitha problemet e sigurisë me të cilat përballet NATO. Presidenti Trump ka pranuar që të marrë pjesë në samitin e liderëve të NATO-s i cili do të mbahet në muajin maj në Evropë”. Presidenti i ri amerikan ka tronditur aleatët evropianë duke mbajtur një linjë më të zbutur kundrejt Moskës, duke rivënë në pikëpyetje angazhimin e Uashingtonit, kundrejt një aleance që ai e ka cilësuar “të vjetruar” dhe si një barrë e padrejtë për kontribuuesin amerikan. Presidenti amerikan, Donald Trump dhe NATO ndajnë të njëjtin qëndrim se dialogu me Rusinë, duke nisur nga një pozicion më i favorizuar është i nevojshëm, pohoi sot Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut, Jens Stoltenberg. “Mesazhi i administratës së re është se ata dëshirojnë gjithashtu një dialog me Rusinë, por nga një pozitë më e favorizuar”, deklaroi për median Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut Verior. Udhëheqësit evropianë, u alarmuan nga komentet e kohëve të fundit të Presidentit Donald Trump se NATO-s “i ka ikur koha”. Që kur u krijua, në fund të Luftës së Dytë Botërore, kjo organizatë ka qenë në themel të sigurisë së Evropës, por disa udhëheqës të BE-së thonë se Evropa tani duhet të marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e vet. Por, pa mbështetjen amerikane, kontinenti do të përballej me një deficit të jashtëzakonshëm në aftësi ushtarake. Trupat gjermane po bëjnë përgatitjet e fundit të dislokimit në Lituani, në kuadër të përforcimit me 4000 mijë trupa të NATO-s, në shtetet baltike dhe Poloni. Lëvizja ka si synim, që t’u krijojë siguri vendeve në kufi të aleancës. Por komentet e fundit të Presidentit amerikan, Donald Trump në një intervistë se NATO-s i “ka ikur koha”, i kanë tronditur aleatët evropianë. “Përveç krizave që patëm vitin e kaluar, në Ukrainë, Siri, Detin e Kinës së Jugut, Korenë e Veriut etj, tani duket se paniku është gati të përfshijë edhe hapësirën transatlantike. Shtrohen pyetje nëse NATO-s i ka ikur koha apo jo? Bashkimi Evropian, a është diçka tyre?” Përgjigjia e kancelares gjermane, Angela Merkel ishte se Evropa e ka tani fatin në duart e veta. Por BE-së do t’i duhet të bëjë një ndryshim dramatik në politikën e Bashkimit Evropian për të kompensuar çdo thyerje në aleancën me Shtetet e Bashkuara. “Megjithëse ka pasur mjaft diskutime për një bashkëpunim më të ngushtë brenda Bashkimit Evropian, asgjë nuk mund ta zëvendësojë fuqinë ushtarake amerikane. Deri në 75 për qind e të gjitha aseteve në NATO u takojnë Shteteve të Bashkuara”. Aktualisht Gjermania, së bashku me disa aleatë të tjerë evropianë në NATO, shpenzon shumë më pak se sa 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që kishin premtuar në vitin 2014, si fond për NATO-n. Anëtarë me peshë të NATO-s, si Franca, Gjermania, Spanja dhe Italia, duan një bashkëpunim më të ngushtë ushtarak dhe zbulimi brenda Bashkimit Evropian, një lëvizje që është mbështetur nga zyrtarët në Bruksel. Sidoqoftë, biseda e sotme mes Trump dhe Stoltenberg kishte si qëllim të qetësonte anëtarët europianë të NATO-s përsa i përket angazhimit të SHBA për sigurinë e Europës.

 

Tags