Amerika mbetet e angazhuar ndaj NATO-s
(last modified Sat, 18 Feb 2017 20:23:43 GMT )
Shkurt 18, 2017 21:23 Europe/Tirane
  • Amerika mbetet e angazhuar ndaj NATO-s

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, u ka thënë liderëve evropianë se Shtetet e Bashkuara “tani dhe gjithmonë do të jenë aleati juaj më i madh”, duke u munduar kështu që të heqë shqetësimet rreth përkushtimit të Uashingtonit ndaj lidhjeve transatlantike nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump.

Duke folur sot në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Pence ka thënë se “lidhja e qëndrueshme” ndërmjet SHBA-së dhe Evropës është ndërtuar jo vetëm mbi “fuqinë e armëve”, por edhe mbi idetë e përbashkëta dhe parimet që ne i duam shumë: lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe sundimin e ligjit”. Ai ka thënë se e ka sjellë një mesazh nga Trump: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin fuqishëm NATO-n, dhe nuk do të lëkunden” në përkrahjen për këtë aleancë. Në të njëjtën kohë, Pence disa herë e ka përsëritur thirrjen e Trumpit për aleatët evropianë që të kryejnë obligimin e tyre rreth shpenzimeve për mbrojtjen ushtarake, duke kujtuar se vetëm pesë vende anëtare të NATO-s e kanë arritur cakun e shfrytëzimit të 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për ushtrinë. “Ka ardhur koha që të bëhet më shumë”, ka thënë në këtë drejtim, Pence. Ai ka thënë se SHBA-ja “do ta mbajë Rusinë përgjegjëse” për ndërhyrjen në Ukrainë ndonëse kërkon bashkëpunim me Moskën, që Trump ka thënë se beson se do ta arrijë. Rusia duhet t’i përmbahet marrëveshjes për armëpushim të Minskut të arritur në vitin 2015 dhe duhet patjetër të fillojë të ndikojë në qetësimin e situatës në Ukrainën lindore, ka thënë më tej Pence.

 

Tags