Rusia reagon ndaj akuzave të Uashingtonit
Ministria e Jashtme e Rusisë hodhi poshtë akuzat e SHBA mbi implikimin e rusëve në sulmet kibernetike.
Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, i cilësoi “të pabaza” akuzat e SHBA për implikimin e Organizatës së Sigurisë Federale të Rusisë në sulme kibernetike kundër kompanive dhe institucioneve amerikane dhe shtoi se Rusia respekton angazhimet e saj ndërkombëtare për sigurinë e hapësirës kibernetike dhe dixhitale. Reagimi i Moskës vjen pasi Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza për katër persona mes të cilëve dy agjentë të spiunazhit rus, të cilët dyshohet se kanë mundur të vjedhin mbi 500 milionë llogari Yahoo, me qëllim që të përvetësojnë informacione të ndryshme. Lajmi u konfirmua në një deklaratë nga zyrtarët amerikanë që theksuan se piratët kompiuterikë janë sponsorizuar nga Rusia. Dy antarët e Shërbimit Federal të Sigurisë janë Dimitri Dokushaev dhe Igod Shushin. Ngjarja ka rindezur sërish debat në Shtetet e Bashkuara, pasi Rusia është akuzuar shpesh për për sulme kibernetike edhe në zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan në vitin e shkuar, ku fitues doli Presidenti aktual, Donald Trump.