Prill 08, 2024 20:42 Europe/Tirane
  • Ministri i Jashtëm i Rusisë në Kinë për bisedime, kryesisht për Ukrainën

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ndodhet në kryeqytetin e Kinës për bisedime me homologun e tij kinez Wang Yi mbi një seri “temash të nxehta” që do të përfshijnë edhe luftën në Ukrainë.

Lavrov mbërriti në Pekin të hënën, sipas Ministrisë së Jashtme ruse, për të “diskutuar situatën në Ukrainë dhe rajonin e Azi-Paqësorit, çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe ndërveprimin në arenën ndërkombëtare”.

Për luftën në Ukrainë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning u tha gazetarëve të hënën se "Kina ka një qëndrim objektiv dhe të drejtë për çështjen e Ukrainës".

“Ne kemi promovuar në mënyrë aktive bisedimet e paqes dhe zgjidhjet politike. Kina nuk është krijuese apo palë e krizës në Ukrainë dhe ne nuk kemi dhe nuk do të bëjmë asgjë për të përfituar prej saj”, theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Rusia dhe Kina deklaruan një partneritet "pa kufij" në shkurt 2022, kur presidenti Vladimir Putin vizitoi Pekinin vetëm disa ditë para se Rusia të niste fushatën në Ukrainë, duke shkaktuar luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tregtia dypalëshe arriti një rekord prej 240 miliardë dollarësh vitin e kaluar, me kompanitë kineze që kanë rritur investimet pasi firmat perëndimore u larguan nga Rusia pas vendosjes së sanksioneve kundër Moskës.

 

Tags