Vizita e Trump në Vatikan
Presidenti i SHBA, Donald Trump u takua me Papa Françeskun dhe udhëheqësit më të lartë të Italisë në Romë, në pjesën e tretë të turneut të tij të parë jashtë vendit.
Trump dhe Papa Françesku kanë biseduar për çështje të cilat përfshijnë migracionin dhe ndryshimet klimatike. Edhe pse ndajnë qëndrime të ndryshme, sidomos për çështjen e emigrantëve, Presidenti amerikan Donald Trump dhe Papa Françesku kanë pasur një takim të ngrohtë që secila nga palët e kanë vlerësuar. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka nisur takimin me shprehjen se ndihej i nderuar që ndodhej aty, ndërsa Papa Françesku i ka uruar mirëseardhjen. Takimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë me kreun e 1.2 miliardë katolikëve të botës është pritur me mjaft interes në të gjithë botën, ndërsa pas takimit Presidenti amerikan është shprehur se Papa është një njeri i madh. Ishte ky një takim historik i zhvilluar me dyer të mbyllura mes dy personave më të rëndësishëm në botë, por që i ndajnë opinione të ndryshme sa i takon mbi të gjitha çështjes së emigrantëve. Papa Françesku duke dënuar politikën e nisur nga Presidenti amerikan ndaj çështjes së emigrantëve më herët ka deklaruar duhen krijuar ura e jo mure. Papa Françesku i ka dhuruar Presidentit amerikan një medalion tradicional të degës së ullirit me një frakturë që ai e shpjegoi me fjalët:“Kjo frakturë tregon ndarjen që sjell lufta me dëshirën time për paqen në botë”. Në mbyllje të takimit ndërsa shtrëngonte duart me Atin e Shenjtë e përballë gazetarëve, Presidenti amerikan tha se “nuk do t’i harroj fjalët e Papa Françeskut.” Zyra e shtypit të Vatikanit ka informuar se në takimin privat mes Presidentit amerikan e Atit të Shenjtë u konfirmuan marrëdhëniet e mira mes Vatikanit e SHBA si dhe impenjimi i përbashkët në favor të jetës, të lirisë fetare e koshiencës me premtimin e një bashkëpunimi të ngushtë mes shtetit amerikan e kishës katolike amerikane në shërbim të asistencës ndaj emigrantëve. Më pas Presidenti amerikan ka zhvilluar takimet institucionale me përfaqësuesit më të lartë të shtetit italian. Gjatë takimit me Presidentin italian të Republikës Sergio Mattarella janë marrë në diskutim çështje të rëndësishme politike ndërkombëtare me një vëmendje të veçantë ndaj alarmit të rrezikut të terrorizmit e në kuadër dhe të Samitit të G7 që do të zhvillohet së shpejti në Taormina në ishullin e Siçilisë. Në këtë takim mori pjesë dhe Ministri i Jashtëm italian Angelino Alfano e Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson. Ndërkohë, Me një hashtag të shpërndarë në rrjetet sociale #RomaResist, qytetarët amerikanë që jetojnë në kryeqytetin italian Romë kanë nisur prej mbrëmjes së djeshme protestën e tyre Anti-Trump që do të vazhdojë deri në përfundimit të vizitës së tij. “Ky President nuk na përfaqëson dhe protesta jonë është në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve, të demokracisë, të medias, grave, shëndetësisë e besimit fetar“, deklarojnë organizatorët e protestës. Me sloganet “Bridges not walls”, “Ban travel for Trump”, shpresojnë që pas takimit me Atin e Shenjtë, politika e Presidentit amerikan të ndryshojw, shprehen protestuesit.Në vendin simbolik të Romës, mjaft pranë Koloseut, militantët e Frontit të Rinisë Komunist kanë vendosur një parullë gjigande “Trump not welcome”.Gjatë protestës ata u shprehën se “kush firmos marrëveshje 100 miliardë për të furnizuar me armë Arabinë Saudite është furnizuesi i parë i terrorizmit, kush ngre mure kundër emigrantëve nuk është i mirëpritur në Romë.” Dhe aktivistët e Greenpeace kanë protestuar gjatë natës së shkuar mjaft pranë mureve të Vatikanit nën sloganin “Planet Earth First”, për të kundërshtuar moton e qeverisë Trump “America First!”. “Presidenti amerikan ka reduktuar së fundmi mjaft rregulla të mbrojtjes së ambientit duke favorizuar shoqëritë e naftës e të karbonit”, u shprehen aktivistët e Greenpeace.